Në Shqipëri, Altin Dumani, u zgjodh sot në postin e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për tre vitet e ardhshme.
Dumani ishte një ndër tre kandidaturat në garë, së bashku me dy prokurorët e tjetër Edvin Kondili, dhe Adnan Xholi.
Përpara se Këshilli i Lartë i Prokurorisë të shprehej me votë, kandidatët paraqitën platformat e tyre dhe iu përgjigjën pyetjeve të ndryshme.
Këshilli i Lartë i prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, por në votim nuk mori pjesë njëri prej tyre.
Dumani arriti të siguronte mbështetjen e 5 anëtarëve të KLP-së, përkundrejt 4 votave që shkuan në favor të kandidatit Kondili. Vetëm një votë ishte për prokurorin Xholi.
Procesi i përzgjedhjes së drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme, tërhoqi një vëmendje të veçantë pas shqetësimeve të përsëritura e të shprehura publikisht nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, për përpjekje për ndërhyrje të mundshme në proces.
Ambasadorja Kim u shfaq dhe sot në mjediset e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa procesi ishte drejt fundit.
Ajo hyri në sallën ku po mbahej seanca publike me kandidatët, duke e ndjekur nga afër procesin.
Ambasadorja Kim përsëriti dhe një herë se “baza e vendimit të anëtarëve të KLP-së, duhet të jetë objektiviteti, një ekzaminim i kritereve dhe kualifikimeve të kandidatëve. Nuk duhet të bazohet te kërcënimet apo premtimet për favore. Kjo do të thyente integritetin e atij procesi zgjedhjeje”, deklaroi ajo para pak votimit, duke nënvizuar se edhe “për personin që do të përzgjidhet në kreut të këtij institucioni, duhet ta kuptojë se është përzgjedhur në bazë të kritereve, jo në bazë të premtimeve për favore apo kërcënimeve, në mënyrë që ai të mos i detyrohet kujt”./voa/
LVV sot mban tubim në Gjilan, merr pjesë Kurti
Tatimi në pronë deri 300%? Nga 1 janari në fuqi ligji që po ...
Dy të therur pas një përleshjeje në Vushtrri
Turqia ndaloi 115 të dyshuar të Shtetit Islamik para festave...
Paralajmërime për mot të ftohtë dhe erëra të forta në Britan...
Thyhen 7 vetura në parkingun e një objekti në Fushë Kosovë, ...