Sallahu: Dorëheqja e Osmanit do të ishte e dobishme

00:11 | 26 Mars 2026
E.G

Blerim Sallahu, këshilltar ligjor i kryeministrit, ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shkelur Kushtetutën e vendit me dekretin që ka nxjerrë për shpërndarjen e Kuvendit.  Sipas tij, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të martën e ka bërë të qartë shkeljen kushtetuese të presidentes, derisa ka shtuar se ajo duhet të japë dorëheqje.

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë afat shtesë edhe 34 ditë Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri. Me aktgjykimin e publikuar më 25 mars, gjykata ka konstatuar se dekreti i presidentes Osmani për shpërndarje të Kuvendit nuk prodhon asnjë efekt juridik.

“Janë dy procedura të shkeljes së Kushtetutës, e para nuk po themi dhe nuk kemi bë kërkesë për shkelje serioze të Kushtetutës nga presidentja, nuk kemi bë kësi lloj kërkesë në gjykatë. Ne kemi kontestuar dekretin që ka nxjerrë dora e saj, dhe ky dekret nga sot është i pavlefshëm. Presidentja me dekretin e saj e ka shkelur qartazi dhe haptazi Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Sallahu në Interaktiv.

Megjithëse Sallahu ka deklaruar se presidentja e ka shkelur Kushtetutën, ai atë e ka quajtur shkelje “jo serioze”.

“Presidentja e ka shkelur Kushtetutën, por jo shkelje serioze”.

Sallahu ka theksuar se dorëheqja e Osmanit do të ishte “e dobishme”.

“Do të ishte e dobishme të jepte dorëheqje sepse ajo është garanca për mbrojtjen e Kushtetutës. Derisa ke autorizim kushtetues ta mbrosh Kushtetutën dhe bën një gjë të kundërt në lidhje me të, është e shëndetshme për demokracinë të japë dorëheqje”, përfundoi ai.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda periudhës 34 ditëshe, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda 45 ditësh.

Shpërndaje në rrjete sociale