Altin Dumani: SPAK përballet me presion nga politika dhe krimi

21:30 | 27 Tetor 2025
E.H

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, gjatë prezantimit në Kuvend të Raportit vjetor të veprimtarisë për vitin 2024, paraqiti një bilanc të gjerë të punës hetimore, gjyqësore dhe rezultateve të arritura nga institucioni që ai drejton.

Në fjalën e tij, Dumani theksoi se gjatë vitit 2024 janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë totale prej 65.8 milionë euro, të dyshuara si të përfituara nga veprimtari kriminale.

“Tregues pozitiv paraqet edhe numri i procedimeve penale për pastrim të produkteve të veprës penale. Krahasuar me vitin 2023, kjo rritje është me 34%,” deklaroi Dumani.

Ai bëri të ditur se SPAK ka proceduar 48 persona për krime zgjedhore, ndërsa për këtë kategori janë regjistruar 43 procedime penale dhe 7 persona janë nën hetim. Në fushën e korrupsionit, 10 zyrtarë janë dënuar me vendim të formës së prerë, ndërsa për terrorizmin janë regjistruar 9 çështje, nga të cilat vetëm një është dërguar në gjykatë.

Dumani raportoi se numri i çështjeve në SPAK është rritur me 13% krahasuar me vitin pararendës, ndërsa janë ekzekutuar 79 vendime penale të formës së prerë, përfshirë 162 dënime me burgim dhe 32 me gjobë. Ai shtoi se SPAK ka shpallur në kërkim ndërkombëtar 107 persona dhe ka miratuar 41 ekstradime drejt Ministrisë së Drejtësisë.

Sa i përket masave të sigurimit, Dumani tha se masa “arrest me burg” është aplikuar për 263 persona, nga të cilët 12% janë të dyshuar për krim të organizuar. Megjithatë, 46 raste, ose 40% e personave nën hetim, janë zhvilluar pa masë sigurie.

“Numri i të paraburgosurve nga SPAK përbën 9.7% të totalit të paraburgimeve në Shqipëri. Në fushën e korrupsionit, 10 zyrtarë të dënuar me vendim të formës së prerë. Sa i përket terrorizmit, u regjistruan 9 çështje të eja, vetëm një u dërgua në gjykatë. Vlera e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara është 65.6 milionë euro. Për veprat penale që lidhen me krimet zgjedhore, janë 34 procedime penale dhe 7 persona në hetim. Këto të dhëna tregojnë efektivitet të Prokurorisë së Posaçme. Referuar të dhënave, 46 raste, ose 40 përqind i totalit të personave nën hetim në 2024, janë hetuar pa masë sigurimi. Gjatë vitit 2024, janë ekzekutuar 79 vendime penale, vendime të formës së prerë. Është dhënë vendimi për ndalim të funksioneve publike, për 35 persona fizikë dje juridikë. Drejtuesi i SPAK ka vendosur 12 kërkesa për mbajtje në regjim të posaçëm. Në 2024, janë miratuar drejt Ministrisë së Drejtësisë, 41 ekstradime. Rreth 34 përqind e personave të hetuar janë dërguar për gjykim” tha ai.

Drejtuesi i SPAK raportoi gjithashtu se janë dhënë vendime për ndalim të funksioneve publike për 35 persona fizikë dhe juridikë, si dhe janë paraqitur 12 kërkesa për mbajtje në regjim të posaçëm. Institucioni ka marrë pjesë në 6094 seanca gjyqësore në GJKKO gjatë vitit 2024.

Dumani nuk la pa përmendur sfidat që përballon SPAK, duke theksuar se niveli i krimit të organizuar mbetet serioz, dhe se institucioni ndjen presion nga aktorë politikë.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është vetëm një detyrë ligjore, por një angazhim institucional që kërkon mbështetje të gjerë dhe pa kompromis,” përfundoi Dumani, duke theksuar nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e besimit publik ndaj drejtësisë.

Në fjalën e tij, Dumani theksoi se vijo presioni nga krimi e politika kundrejt SPAK, duke rrezikuar integritetin institucional dhe të prokurorëve. Dumani u shpreh se ky shqetësim kërkon reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese të SPAK, ndërsa edhe njëherë shtroi kërkesën që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë e rikandidimit pas përfundimit të mandatit të tyre 9-vjeçar.

“Ndaj SPAK vijon një presion i jashtëm nga aktorë politikë, mediatik dhe të krimit të organizuar që rrezikon integritetin institucional dhe të prokurorëve. Ky shqetësim kërkon reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese të SPAK. Ka një paqartësi ligjore mbi statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit e cila krijon pasiguri dhe cenon vijimin e hetimeve të rëndësishme. Shqetësuese numri i ulët i referimeve për korrupsion nga institucionet“, tha Dumani./rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme