Aksidentet, 65 pika të rrezikshme, Lezhë-Shkodër, rruga me numrin më të lartë të viktimave

16:09 | 9 Mars 2018

Shumica e aksidenteve rrugore ndodhin për shkak të pakujdesisë së drejtuesve të mjeteve, por të udhëtosh në disa zona të vendit është e rrezikshme edhe për shkak të mungesës së standardeve të sigurisë rrugore.

Një “njollë” e zezë ku vazhdimisht ndodhin aksidente me pasoja të rënda për jetën është aksi Lezhë-Shkodër në kryqëzimin e “Shënkollit” apo kthesën e “Fishtës”.

Në këtë aks mungojnë edhe mbikalimet për këmbësorët por edhe daljet e shumta në autostradë në kundërshtim me kodin rrugor. Problem mbetet edhe aksi Tiranë- Rinas në kthesat e Laknasit dhe Bërxullës, por këto janë vetëm disa nga rrugët ku kërkohet ndërhyrje.

Në të të gjithë Shqipërisë konstatohen 65 pika, te quajtura “njolla të zeza”. Është ky rezultati i një studimi që po kryhet dhe financohet në bashkëpunim me partnerët e huaj, i cili synon rifreskimin e listës së “ black spoteve” në vend.

Shumica e zonave te rrezikshme janë konstatuar në rrjetin rrugor kombëtar ku edhe lëvizja e automjeteve është më e madhe. Njollë e zezë përkufizohet një segment rrugor 300 deri 500 metra ne te cilin brenda 3 vjetëve kanë ndodhur 3 ose me shume aksidente me pasoje vdekjen. Por në raport me vitet e kaluara numri i njollave të zeza është ulur si pasojë e rikonstuksioneve ose ndërtimit të rrugëve të reja./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale