Mbi 30 kërkesa në vesh të shurdhër: MABCO akuzon institucionet shqiptare për heshtje ndaj problemeve me Aeroportin e Vlorës

18:22 | 18 Maj 2026
E.G

MABCO Constructions SA ka akuzuar zyrtarisht autoritetet shqiptare për shkelje të kontratës së koncesionit për Aeroportin e Vlorës, duke pretenduar se institucionet shtetërore kanë dështuar të reagojnë ndaj problematikave të ngritura nga kompania gjatë muajve të fundit.

Në një dokument zyrtar të datës 11 prill 2026, kjo kompani thekson se gjatë tetë muajve të fundit i është drejtuar mbi 30 herë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, kërkesa këto të cilat kanë hasur në vesh të shurdhër, shkruan Arbresh.info.

Në shkresë thuhet se MABCO ka paralajmëruar vazhdimisht për zhvillimet që po ndodhin rreth projektit të Aeroportit të Vlorës dhe për situatën që kompania e cilëson si cenim të të drejtave të saj kontraktuale dhe pronësore.

Sipas dokumentit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e autoritetit kontraktues, ka detyrim të mbikëqyrë zbatimin korrekt të kontratës së koncesionit, por sipas MABCO-s, kjo nuk ka ndodhur.

“Mosveprimi dhe heshtja e institucioneve përbëjnë shkelje të parimit të mirëbesimit dhe të detyrimeve kontraktuale”, thuhet në dokument.

Një nga çështjet kryesore të ngritura nga kompania lidhet me atë që e quan “tentativë për grabitjen e 47% të kuotave” të saj nga kompania 2A Group. MABCO pretendon se për këtë situatë ka informuar vazhdimisht institucionet shqiptare, duke kërkuar ndërhyrje dhe mbrojtje të projektit koncesionar.

Në dokument përmenden edhe tensionet dhe pengesat që sipas kompanisë kanë ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e punimeve dhe realizimin e projektit.

Për shkak të situatës së krijuar, MABCO ka kërkuar zyrtarisht shtyrje të afateve kontraktuale, duke iu referuar dispozitave të kontratës që lidhen me “forcën madhore” dhe “veprimin material të pafavorshëm qeveritar”.

Në kërkesat zyrtare drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës, kompania kërkon garantimin e pjesëmarrjes aktive dhe të barabartë të MABCO-s në takimin e 15 prillit 2026, duke kërkuar gjithashtu transparencë të plotë mbi gjendjen reale të projektit.

Po ashtu, kompania kërkon konfirmimin e shtyrjes së Datës së Synuar të Operimit dhe afateve kontraktuale sipas nenit 11.10 të kontratës, për periudhën nga 17 tetori 2025 deri në rikthimin e kontrollit ligjor të MABCO-s mbi Aeroportin e Vlorës.

Një tjetër kërkesë lidhet me pezullimin e afateve kontraktuale për periudhën 17 tetor – 11 dhjetor 2025, të cilën kompania kërkon ta njohë si “Ngjarje e Forcës Madhore” sipas nenit 12 të kontratës.

MABCO kërkon gjithashtu që situata të njihet si “Veprim Material i Pafavorshëm Qeveritar” sipas nenit 13, si dhe zhvillimin e një takimi të posaçëm brenda 30 ditëve pune, ku kompania të marrë pjesë si palë aktive dhe e pavarur.

Në dokument kërkohet edhe ndërhyrje e menjëhershme institucionale për garantimin e aksesit të MABCO-s dhe nënkontraktorëve ndërkombëtarë në kantierin e aeroportit, duke përmendur atë që kompania e cilëson si “uzurpim”.

Në fund të shkresës, MABCO deklaron se mbetet e përkushtuar për realizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës si projekt strategjik kombëtar dhe pretendon se ka kapacitet të plotë financiar, teknik dhe njerëzor për përfundimin e tij.

Kompania paralajmëron se çdo veprim apo mosveprim që cenon realizimin e investimit do të marrë “përgjigje të plotë juridike” në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke iu referuar Kontratës së Koncesionit, marrëveshjes Shqipëri-Zvicër për mbrojtjen e investimeve dhe legjislacionit në fuqi.

Dokumenti u është dërguar për dijeni edhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Ambasadës së Zvicrës në Tiranë, Bankës Kombëtare Tregtare dhe subjekteve të tjera të përfshira në projektin e Aeroportit të Vlorës./Arbresh.info

2026.04.11_Njoftim zyrtar i shkeljes se kontrates se koncesionit nga Autoritetet kompetente dhe kerkese per shtyerjeje afatesh (1)

Shpërndaje në rrjete sociale