Një ngjarje e rëndë dhune është regjistruar mbrëmjen e 27 korrikut në një lokal në zonën e Skelës, në Vlorë. Sipas burimeve dhe pamjeve të siguruara, ish-shefi i qarkullimit rrugor Ardian Isufi, aktualisht efektiv i Policisë Kufitare në Dibër, dhe Leart Bimo, një person me precedent penal, kanë ushtruar dhunë ndaj një kamarieri 18-vjeçar gjatë orarit të punës.
Ngjarja dyshohet të ketë nisur për një bidon uji. Fillimisht, Isufi ka ndërhyrë me sjellje kërcënuese, ndërsa më pas Bimo ka ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësit të lokalit, në prani të klientëve vendas dhe të huaj.
Gjatë rrëfimit të tij, kamarieri i dhunuara tha se ngjarja nisi për një bidon ujë tepër.
“Erdhën dy zotërinj dhe u ulën në tavolinë. Porosinë e mori dikush tjetër, unë vetëm e shpërndava. Porosia ishte një ujë e madhe, një e vogël dhe një makiato. Kur ua çova, njëri prej tyre më tha: ‘Vetëm një ujë sill dhe më ofendoi. I thashë që s’ka problem, e heq ujin, por s’ka nevojë të shash, se ka ndodhur pa dashje. E hoqa ujin dhe vijnë të dy burrat dhe më ndjekin në banak dhe i thashë ‘të lutem mos më kap me dorë’. Ishte dhe menaxheri aty. Njëri më qëlloi me shpullë dhe dy herë me grusht, për një bidon ujë më tepër”, tha 18-vjeçari.
Policia e Shtetit reagoi menjëherë duke njoftuar pezullimin nga detyra të efektivit Ardian Isufi. Në njoftimin zyrtar thuhet se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e tij të menjëhershëm dhe ka nisur ndaj tij një procedurë disiplinore të rëndë.
Lidhur me incidentin, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, i cili kërkoi përjashtim të menjëhershëm dhe të pakthyeshëm të Isufit nga Policia e Shtetit, si dhe dorëzimin e tij në drejtësi.
“Pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali”, shkruan Rama.
Rama shtoi se në paketën e re të masave për reformën e kontrollit të territorit do të përfshihet rritja e përgjegjësisë ligjore për të gjithë punonjësit e shtetit, si gjatë orarit të shërbimit ashtu edhe jashtë tij.
“Në pakon e masave të reja të reformës së kontrollit të territorit, janë përshirë edhe rritje të peshës së përgjegjësisë para ligjit të të gjithë punonjësve të shtetit që operojnë në kontakt më komunitetet e me qytetarët, të cilëve nuk do t’u tolerohen shkeljet e asnjë natyre që cenojnë komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit qoftë jashtë orëve të shërbimit.
*Shembull: Çdo punonjës i shtetit që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim (përveç ndëshkimeve të njëjta për të gjithë) do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi në një punë në sektorin shtetëror për një numër të konsiderueshëm vitesh”, tha Rama./rtsh.al/
Polonia i jep fund prodhimit të veshjeve prej gëzofi
“Shqipëria është në një nivel tjetër”, Rama për buxhetin 202...
Besim Hasani garon për deputet në listën e PDK-së
Nesër fillon “Java Kundër Korrupsionit 2025”
Përfundon regjistrimi i diasporës, mbi 70 mijë të regjistrua...
Hegseth: Gjermania, aleate shembull për shpenzime në mbrojtj...