Trafik armësh nga Kosova drejt Shqipërisë, arrestohet 26-vjeçarit në Morinë

10:46 | 28 Gusht 2023
A Z

Policia kufitare e Morinës ka parandaluar një rast të tentativës së trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në drejtim të vendit tonë. Në pranga ka rënë një 26-vjeçar që tentoi të fuste në Shqipëri, 2 armë zjarri pistoleta.

Gjatë kontrollit në banesën e tij në Shkodër, policia gjeti një tjetër armë zjarri, municion luftarak, sasi dhe fara të cannabis sativës. Policia ka sekuestruar 3 armët e zjarrit pistoleta, fishekë luftarakë, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 400 fara të cannabisit dhe 2 targa.

Njoftimi i Policisë

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve me përzgjedhje, për shkak të fluksit të qytetarëve në hyrje/dalje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe krimeve të tjera kufitare, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Transcendence”, si rezultat i të cilit u parandalua dhe u godit një tjetër rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri, nga Kosova, drejt Shqipërisë.

Në kuadër të këtij operacioni, është kapur në flagrancë dhe është arrestuar nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës, shtetasi I. S., 26 vjeç, banues në Shkodër.

Gjatë kontrollit në vijë të dytë, në hyrje të RSh-së, 26-vjeçarit i janë gjetur me vete dhe në çantë, 2 armë zjarri pistoleta, të cilat dyshohet se do të trafikoheshin në vendin tonë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, është koordinuar me Policinë e Shkodrës, ku është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit I. S., në Shkodër, ku janë gjetur një tjetër armë zjarri pistoletë, fishekë luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, 400 fara të dyshuara të kësaj bime dhe 2 targa automjeti, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 pisoletat që iu gjetën shtetasit I. S., në PKK Morinë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Të ngjashme