Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se nesër do të bëhet rivarrimi i Sinan Dautit, i zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Ceremonia e rivarrimit do të mbahet më 18 prill 2026, nga ora 13:30, në Prekaz të Epërm, në varrezat e lagjes Bregaj.
“Nesër, më 18.04.2026 (e shtunë), nga ora 13:30, në Prekaz të Epërm, në varrezat e lagjes Bregaj, do të organizohet ceremonia e rivarrimit të Sinan Dautit (17.06.1990 – 14.04.1999), i zhdukur gjatë luftës”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Dauti ishte plagosur rëndë gjatë luftës dhe kishte ndërruar jetë në Mitrovicë si pasojë e plagëve, ndërsa familja nuk kishte pasur informacione për fatin e tij për më shumë se dy dekada.
“Pas një procesi të gjatë kërkimi dhe përpjekjeve të pandërprera ndër vite, të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Persona të Zhdukur, si dhe me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, mbetjet mortore të Sinan Dautit janë gjetur në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë”, thuhet më tej.
Identifikimi i mbetjeve mortore është bërë së fundmi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Ceremonia e rivarrimit organizohet me kërkesë të familjes dhe me përkrahjen e institucioneve përkatëse.
“Me këtë rast, në këtë moment të rëndë për familjen, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Dauti”, thuhet në njoftim.
Dy anije indiane që po transportonin naftë sulmohen në Ngush...
Konjufca në takim me ministrat e Ballkanit Perëndimor në Tur...
Kryediplomati shqiptar: Sovraniteti i Kosovës s’mund dhe nuk...
Shkatërrohet laboratori i drogës në Pejë, një i arrestuar – ...
Tre persona përleshen për një pronë në Doganaj të Ferizajt, ...
Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të arrestuarit për rastin ...