Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë në Netflix, nis peticioni për ta ndryshuar

08:56 | 10 Shkurt 2021

Pasi që u arrit qëllimi për vendosjen e kufijve të Kosovës në hartat e Apple, tashmë ka filluar edhe një peticion tjetër.

Një nismë e tillë ka filluar nga Sovran Hoti, student në Universitetin “Ukshin Hoti“ në Prizren.

Kësaj radhe kërkohet që Republika e Kosovës të njihet si shtet në Netflix.

Kjo nismë vjen pasi që Sovrani është përdorues i rregullt i Netflix dhe e ka vënë re se lokacioni i figuron Serbi. Kjo e ka ngacmuar Sovranin dhe ka filluar të hulumtojë më tepër rreth kësaj pune.

“Unë kam një kohë që e përdori Netflix dhe kur logohem në platformë lokacioni im figuron në Serbi. I pyeta edhe shokët dhe e njëjta gjë ishte edhe me ta. Kontaktova agjenten në Netflix dhe u mundova t’i shpjegoj se Kosova është shtet i pavarur dhe u kërkova ta hiqnin Serbinë si lokacion, por me sa duket ata nuk e kuptuan dhe as kishin dëgjuar për Kosovën, megjithatë thanë se do ta marrin parasysh”, tregon Sovrani rreth nismës së tij për të cilën pretendon të marrë jehonë e të tërheqë vëmendjen e Netflix për të arritur qëllimin.

Sovrani kërkon ndihmë që peticioni online i nisur nga ai me hashtag #NetflixaddKosovo të shpërndahet e të nënshkruhet sa më shumë që Netflix ta vërejë këtë nismë dhe të marrë vendimin që të njohë Kosovën si shtet. /KultPlus

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara