Bëmë mama mos të të ngjaj, profesionet e njerëzve të famshëm të televizionit dhe politikës

06:19 | 26 Mars 2018

Ku të punon mami ty? Kjo është një ndër pyetjet që përdoret më shpesh kur zë një miqësi të re. Kuriozitet për të marrë përgjigjen e kësaj pyetjeje na ka mbetur ende sot.

Po mamatë e personazheve të njohur, çfarë profesioni kanë? Mbase disa nga këto që gjetëm i keni dëgjuar, mbase me disa të tjera as nuk do të habiteni fare, po ndoshta në disa raste edhe do surprizoheni. Përveçse shumicën e këtyre të famshmëve i bashkon mamaja mësuese, diçka tjetër vlen thuajse për të gjithë: Nuk kanë ndjekur hapat e nënës, të paktën në profesion.

Rezane Fevziu, mamaja e Blendi Fevziut ka qenë mësuese dhe ka patur të njëjtin profesion me të shoqin. Edhe Blendi eci deri diku në hapat e tyre duke ndjekur universitetin për ‘’Gjuhë-Letërsi’’, por kaq. Pastaj u fokusua në gazetari.


Fëmijë mësueseje është edhe Rudina Magjistari. Diku në një postim ajo ka thëne se e ëma ka dhënë rusisht gjithë jetën.

Gocë zyshe është edhe Arbana Osmani, e një gjuhe të huaj madje. Mamaja e saj ka punuar shumë vite në Burrel si mësuese frëngjishteje, kurse aktualisht punon në Ambasadën Franceze.


Ardit Gjebrea e ka thënë shpesh se e ëma ka qenë mësuese.

Redon Makashi, është ndër të paktët që eci në gjurmët e së ëmës. Nëna e tij, Drita Makashi është këngëtare dhe kanë një duet së bashku, kujtim. Kurse e ëma e Elton Dedës ka qenë pedagoge, që në fakt në thelb mësuese mbetet.

Ndërkohë që shumë larg mësuesisë apo artit janë mamatë e politikanëve. Nëna e Kryeministrit Edi Rama, Aneta ka qenë stomatologe. Kurse surprizë është profesioni i mamasë së Erion Veliajt. Ajo ka qenë ushtarake dhe ka punuar një periudhë si shefe kuadri, ku dhe ishte kolege me bashkëshortin./living.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara