ASAP Rocky rrëfehet: Atësia më ka bërë më emocional dhe plot dashuri

14:49 | 7 Janar 2026
R J

Reperi dhe aktori ASAP Rocky ka folur së fundmi për ndryshimin e madh që ka përjetuar në jetën e tij personale që prej momentit kur u bë baba, duke theksuar se atësia e ka bërë më të ndjeshëm dhe më të përkushtuar ndaj njerëzve përreth tij. Në një intervistë për revistën W, artisti ka reflektuar mbi ndikimin që familja ka pasur në karakterin dhe emocionet e tij.

Rocky, i cili është në një lidhje prej vitesh me yllin botëror Rihanna, është baba i tre fëmijëve: djemve RZA, 3 vjeç, dhe Riot Rose, 2 vjeç, si dhe një vajze të porsalindur, Rocky Irish, e cila është afro katër muajshe. Duke folur për veten para dhe pas ardhjes së fëmijëve, ai u shpreh hapur: “Jam shumë më emocional. Përpara fëmijëve, ndoshta isha gjakftohtë, por tani jam plot dashuri”.

Sipas tij, ky ndryshim nuk reflektohet vetëm në marrëdhënien me fëmijët, por edhe në mënyrën se si sillet me njerëzit e tjerë. Reperi theksoi se sot përpiqet të përhapë më shumë dashuri dhe mirëkuptim në jetën e përditshme.

Në intervistë, ASAP Rocky u ndal edhe te vajza e tij e vogël, e lindur në shtator. Kur u pyet se si do të reagonte nëse dikush do të përpiqej të dilte me të në të ardhmen, ai u përgjigj me humor dhe seriozitet njëkohësisht: “Do të lutem për ta”.

Deklaratat e tij vijnë pak javë pasi ai foli edhe për marrëdhënien mes fëmijëve. Në dhjetor, në një intervistë për Extra gjatë edicionit të 35-të të Gotham Film Awards, Rocky tregoi se ishte i befasuar nga sa mirë shkojnë djemtë me njëri-tjetrin, megjithëse pranoi se ata kanë shfaqur pak xhelozi ndaj motrës së tyre më të vogël. Për reperin, familja duket se ka sjellë një kapitull krejt të ri, të mbushur me emocione dhe përgjegjësi.