Në Kosovë po bie nataliteti

08:25 | 8 Shkurt 2021

Nataliteti në Kosovë po shënon rënie nga viti në vit. Këtë e thonë studimet shkencore të bëra nga autorë të ndryshëm në vend, por edhe vetë klinika gjinekologjike obstetrike në Prishtinë e që është qendër referente për tërë Kosovën.

Kosova nga viti në vit, po shënon rënie të natalitetit. Planifikimi familjar, kushtet e rënda ekonomike, por edhe ikja e të rinjve jashtë vendit, janë disa nga arsyet që potencohet se kanë ndikuar në rënien e natalitetit. Nataliteti në rënie në Kosovë është dukuri e viteve të fundit, pasi që gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta, Kosova ishte ndër vendet me shtimin më të madh të popullsisë në ish-Jugosllavi, derisa në periudhën e viteve 2010-2021 numri i lindjeve të gjalla është zvogëluar prej rreth 33 mijë sa ishte në 20 mijë. Këtë e tha akademik Aton Berisha, sipas të cilit, nga të dhënat që ofron statistika, shihet se nga indikatorët bazë nataliteti nuk është i volitshëm.

“Të dhënat dhe faktet shkencore nga studimet e autorëve të ndryshëm, për problemet demografike, sociologjike, ekonomike, historike duke përfshirë edhe rezultatet e hulumtimeve . Dhjetë vjetët e fundit nga rënia e normave të lindshmërisë sidomos i grupmoshave të të rinjve në periudhën e ripërtëritjes biologjike shtimi natyror ka tendencë të zvogëlimit. Në vitet 2010-2021 numri i lindjeve të gjalla është zvogëluar prej rreth 33 mijë sa ishte në 20 mijë’’, tha ai.

Ndërkaq në Klinikën Neonatologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, drejtori Xhevdet Gojnovci tha për Radio Kosovën se trendi i rënies së natalitetit që nga viti 2000 është në rënie.

“Për sa i përket natalitetit që nga viti 2000, ka një rënie të natalitetit. Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2000 kanë qenë rreth 33 mijë foshnje të lindura në Republikën e Kosovës, derisa me pas çdo vit ka shënuar rënie të lindjes së foshnjave’’, tha Gojnovci.

Sociologët në vend thonë se do të duhej që institucionet gjegjëse të zhvillojnë strategji që të promovojnë rëndësinë e natalitetit. Ata në debate të ndryshme kanë thënë se trendi i migrimit dhe trendi i ulët i natalitetit, Kosovën pas 20 vjetësh do ta gjejë me popullatë shumë modeste në Ballkan.

Ndërkaq sipas zyrtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, për rënien e natalitetit nuk janë bërë studime, por siç kanë thënë ata, mund të supozohet se trendi i uljes së natalitetit prek secilin vend në zhvillim, e në këtë rast po e prek edhe Kosovën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara