Evropa punon, Kosova pushon – institucionet e vendit mbyllen për Ditën e Evropës

11:08 | 8 Maj 2026
Q L

Në shumicën e kryeqyteteve evropiane, 9 maji shënohet si një ditë e zakonshme pune, por në Kosovë institucionet mbyllen.

Dita e Evropës, që në vendet e Bashkimit Evropian shënohet kryesisht në mënyrë simbolike, në Kosovë është shndërruar në festë zyrtare dhe ditë pushimi – një dallim që ngre pikëpyetje për logjikën dhe qëllimin e këtij vendimi, shkruan Arbresh.info.

Çdo vit më 9 maj, në të gjithë kontinentin shënohet Dita e Evropës, një datë simbolike që lidhet me fillimin e projektit evropian dhe ndërtimin e paqes pas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, mënyra e shënimit të kësaj dite ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin. Në Kosovë, kjo datë është festë zyrtare dhe ditë pushimi, ndërsa në shumicën e vendeve të

Bashkimit Evropian ajo mbetet një ditë e zakonshme pune. Në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, 9 maji shënohet kryesisht në mënyrë simbolike: organizohen aktivitete kulturore, vendosen flamujt e BE-së dhe mbahen aktivitete publike.

Megjithatë, në pothuajse të gjitha vendet e BE-së kjo është ditë pune, jo festë zyrtare.

Përjashtim bën vetëm Luksemburgu, i cili e ka shpallur këtë ditë pushim shtetëror. Kosova është një rast unik në Evropë.

Edhe pse nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, ajo e ka përfshirë 9 majin në listën e festave zyrtare me ligj, duke e bërë ditë pushimi për institucionet publike dhe shumicën e sektorëve.

Institucionet e Kosovës e kanë konsideruar këtë festë si një shprehje të qartë të aspiratave për integrim në BE.
Sipas zyrtarëve, fakti që kjo ditë festohet si festë zyrtare dëshmon orientimin evropian të Kosovës.

Kosova e konsideron integrimin në Bashkimin Evropian si një nga objektivat kryesore shtetërore. Festimi i 9 majit është një mënyrë për të reflektuar këtë orientim.

Kosova mbetet ndër vendet e pakta në Evropë që e feston 9 majin me pushim, pavarësisht se për vite të tëra nuk ka qenë pjesë e zonës Schengen apo e strukturave të BE-së, një vend që nuk është ende pjesë e BE-së e feston më fuqishëm se vetë anëtarët e saj.

Ndërkohë, Arbresh.info ka kontaktuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të pyetur nëse pritet që në të ardhmen të ketë ndryshime sa i përket statusit të 9 Majit si festë zyrtare dhe ditë pushimi në Kosovë.

Megjithatë, deri në publikimin e këtij artikulli, nga MPJD nuk është kthyer asnjë përgjigje./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale