Ziadin Sela kërkon zgjedhje të reja parlamentare

22:10 | 24 Shkurt 2018

Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se po shqyrton rikonstruimin e kabinetit të tij qeveritar si dhe rritjen e numrit të deputetëve në grupin parlamentar.

Ai ka thënë se fillimisht do të nis rikonstruimi pastaj do të rritet numri i deputetëve në grupin parlamentar duke shtuar se duhet të mundësohet stabilizimi në kuvend nga të gjitha aspektet. Zaev shpreson edhe në kthimin e opozitës në kuvend, dhe normalizimin e punës së këtij institucioni ligjvënës.

Ndërkohë, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela kërkon zgjedhje të reja parlamentare të cilat sipas tij do të duhej të mbaheshin pas arritjes së kompromisit për zgjidhjen e emrit. Kërkesën e tij, Sela e bazon në mungesën e shumicës stabile ne Kuvend.

Sa i përket rikonstruimit të Qeverisë zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani u shpreh se diçka konkrete nuk ka, por se shqyrtohet tema sa i përket bisedimeve për përforcimin e koalicionit qeveritar, në saje të formimit të një shumice më stabile në parlament.

Kohë më parë Zaev nuk përjashtojnë mundësinë e zgjerimit të koalicionit qeveritarë, me përfshirjen edhe të dy subjekteve politike shqiptare, Lëvizjen BESA dhe PDSH-së. Edhe nga PDSH-ja konfirmuan se në këtë drejtim kanë zhvilluar takime me kryeministrin Zoran Zaev dhe kreun e BDI-së Ali Ahmeti, megjithatë nuk shpalosin detaje.
Ndërsa kryetari i sapo zgjedhur i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, ka theksuar gatishmërinë për t’iu bashkëngjitur koalicionit qeveritar dhe paralajmëroi se për këtë do të negociojë me kryeministrin, Zoran Zaev./Alsat-M/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara