Partitë politike janë të ndara në pritjet e tyre për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. LSDM, BDI dhe Alternativa besojnë në presidencën kroate me BE-në, duke qenë optimistë se këtë vit, respektivisht këtë pranverë BE-ja do ta ndreq gabimin e vitit të kaluar dhe do ta jep dritën jeshile për fillim të negociatave.
“Për vetëm 2 vjet e gjysmë nga shtet i kapur, LSDM përmes politikave shtetërore e ktheu shtetin në rrugën e vërtetë drejtë integrimit në NATO dhe BE. NATO është qëllim strategjik tashmë i realizuar, reformat janë bërë për t’iu bashkuar BE-së. Presim që këtë vit të përmirësohet gabimi historik i Unionit”, pohoi Millan Zhivkoviç, LSDM.
“Nëse 2019-ta ishte viti i NATO-s, BDI pret që 2020-ta të jetë vit i Evropës. Presim shumë nga presidenca kroate veçanërisht edhe për shkak të faktit se të gjithë në BE e kuptuan se gabuan. Andaj presim së shpejti miratimin e metodologjisë së re, pastaj raport të jashtëzakonshëm në shkurt dhe vendim për fillim të bisedimeve në mars. Mirëpo e jona është të vazhdojmë të punojmë, kurse premtimet do t’ia lëmë BE-se t’i bëjë”, thonë nga BDI.
“Presim që Kroacia të jetë më e fokusuar në Ballkan. Andaj edhe pritjet tona për marrjen e datës për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian do të jenë shumë më të mëdha në këtë gjashtëmujorësh gjatë të cilit Kroacia do të kryeson me BE-në”, thonë nga Alternativa.
Nga ana tjetër, partitë e tjera janë skeptike se qasja e BE-së në raport me vendin do të ndryshojë, pavarësisht angazhimit evendual të Kroacisë. Ndonëse me një dozë të vogël shprese, Lëvizja Besa thekson se hapja e negociatave nuk varet vetëm nga Kroacia.
“Është pozitive që një shtet mik i Maqedonisë së Veriut e merr kryesimin e BE-së. Në raport me hapjen eventuale të negociatave, për fat të keq shumë pak ose thuajse aspak nuk varen nga kryesuesi i BE-së, por nga vendimarrja konsensuale e të gjitha shteteve. Duke pasur parasysh qasjen nga takimi i fundit i Samitit Evropian dhe qëndrimin e disa shteteve e në veçanti të Francës, nuk presim ndonjë ndryshim në raport me Maqedoninë e Veriut gjatë presidencës të Kroacisë”, theksojnë nga Lëvizja Besa.
Reformat e parealizuara në sistemin e drejtësisë dhe administratës publike e bëjnë Aleancën për Shqiptarët pesimiste. Sipas kësaj partie edhe organizimi i zgjedhjeve të prillit janë poaq të rëndësishme për fillimin e negociatave.
“Koha nuk premton që kjo Qeveri, kjo strukturë e tanishme qeveritare të jetë e aftë që në periudhë të shkurtër t’i realizojë të gjitha këto ndryshime që janë të pritshme dhe të kërkuara nga ana e Këshillit Evropian. Gjithsesi se ekziston një dozë e optimizmit, por nevojitet më tepër angazhim nga subjektet në Qeveri dhe ata që do ta marrin përsipër më vonë qeverisjen me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, pohoi Arianit Hoxha, Aleanca për Shqiptarët.
OBRM-PDUKM-ja është e bindur se negociatat nuk do të fillojnë dhe për këtë fajëson qeverisjen e Zoran Zaevit.
“Presidenca me BE-në ndryshon në 6 muaj, Kroacia mbase është vendi i gjashtë që kryeson që kur Zaev qeveris me Maqedoninë. Rezultati është i njëjtë edhe përskaj shkeljes së vullnetit të popullit nga ana e Zaevit, të shprehur në referendum për ndryshim të Kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Absolutisht një nga kushtet ishte zbardhja e aferave korruptive dhe kriminele në Republikën e Maqedonisë, për çka dhe nuk kishte sukses deri tani në integrimet evropiane dhe që sërish u përmend nga ana e Francës”, tha Naum Stoilkovski, OBRM-PDUKM.
Që nga 1 janari Kroacia mori Presidencën me BE-në, me ç’rast kryeministri kroat, Pelnkoviç u zotua se në Samitin e Zagrebit në maj do të fillojnë negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nga ana tjetër, mbetet pezull integrimi i vendit në NATO për shkak të situatës politike në Spanjë. Mbetet të shihet nëse në votimin e nesërm në ligjvënësin spanjoll, mandatari socialist, Pedro Sançez do të sigurojë mbështetjen e nevojshme për koalicionin qeveritar dhe vetëm pas normalizimit të situatës politike atje, të mund të pritet ratifikimi i Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Nga Kuvendi i Shkupit nuk japin informacione nëse dhe kur do të vendoset në rend dite nënshkrimi i parakohshëm i Marrëveshjes përfundimtare për anëtarësim në NATO, nismë kjo e Qeverisë për të mos u bllokuar integrimi i vendit me shpërbërjen e Kuvendit për zgjedhjet e prillit./Alsat/
Hoti dhe Azemi diskutojnë për punëtorët e sektorit privat
KQZ miraton planin e punës, pezullohet nëse ka zgjedhje të j...
AGK-ja e dënon gjuhën e papranueshme dhe të rrezikshme të Lu...
Suedia ia vazhdon kontratën Potterit deri në vitin 2030
FIFA ende nuk pa asnjë reagim pas deklaratave të ministrit t...
Aksion në Prishtinë për largimin reklamave pa leje nga hapës...