Në burgun më të madh të Maqedonisë së Veriut zbulohet një tunel që po përgatitej për arratisje

14:58 | 22 Mars 2023

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi të mërkurën se në bashkëpunim me Prokurorinë Publike po punojnë për zbulimin e identitet të të burgosurve që po përgatisnin një arratisje nga burgu më i madh i vendit “Idrizovë”, që ndodhet rreth 20 kilometra nga Shkupi.

Ministria e Brendshme të martën ka publikuar pamjet e tunelit që po hapej brenda hapësirave të burgut nga së paku tetë të burgosur, të dënuar për vepra të renda penale.

“Aksioni është realizuar në bashkëpunim me drejtorinë e burgjeve pas marrjes së informacioneve për veprimtari kriminale të një grupi prej së paku tetë të burgosurish të dënuar për vepra të rënda penale për çka edhe po vuanin dënimin prej 10 vjetësh burgim e deri në burgim të përjetshëm. Të burgosurit po synonin hapjen e një tuneli në gjatësi prej 40 metrash dhe me një diametër prej 80 centimetrash. Brenda tunelit janë gjetur shumë kova plastike të lidhura me litarë për nxjerrjen e dheut, si dhe një fije elektrike për ndriçimin e hapësirës”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë, Toni Angellovski.

Në burgun e Idrizovës në vuajtje të dënimit janë rreth 1.206 të burgosur, në mesin e të cilëve edhe ata me burgim të përjetshëm, përfshirë edhe grupin e shtetasve të Kosovës, që janë të dënuar me burgim të përjetshëm për ngjarjet në lagjen Kodra e Trimave në Kumanovë në vitin 2015.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thënë se në hetimet për tentimin e arratisjes po marrin pjesë inspektorë, pjesëtarë të policisë kriminalistike, ata të organeve të hetuesisë dhe specialistë të tjerë që po merren me këtë rast, që është i pari i përmasave të këtilla.

“Të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me këtë institucion tashmë i posedojnë organet përkatëse që janë përgjegjëse me sigurinë në shtet, përfshirë edhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Agjencinë e Zbulimit. Këto organe po ndërmarrin të gjitha masat për sanimin e gjendjes”, ka deklaruar Kovaçevski.

Ai ka njoftuar edhe për shkarkimin nga pozita të drejtorit të burgut të Idrizovës, Shpend Tahiri, por pa saktësuar përgjegjësinë e tij në këtë rast.

Shkarkimi i Tahirit ka nxitur reagimin e partisë Alternativa, e cila e kishte propozuar në këtë detyrë derisa ishte pjesë e Qeverisë.

Nga kjo parti thonë se drejtori i shkarkuar jo vetëm që nuk është përgjegjës për këtë tentim për arratisje, por ai me kohë i ka alarmuar institucionet tjera jo vetëm për këtë rast, por edhe për gjendjen në përgjithësi në këtë burg.

“Aksioni në burgun e Idrizovës, që rezultoi me zbulimin e një tuneli që ishte gërmuar një kohë të gjatë për të ikur të burgosurit, ka ardhur pikërisht si rezultat i angazhimit të drejtorit Shpend Tahiri. Prandaj, të thuhet se drejtori i burgut të Idrizovës është shkarkuar si ndëshkim për këtë, jo vetëm që është tejet e ulët, por është edhe mosmirënjohje ndaj njeriut që deri në ditën e fundit të punës së tij ka punuar pa asnjë aferë… Për fat të keq, më shumë mirënjohje për punën e tij shfaqin miqtë tanë ndërkombëtarë sesa drejtuesit e institucioneve tona shtetërore”, thuhet në reagimin e Alternativës.

Burgjet në Maqedoninë e Veriut, në veçanti burgu i Idrizovës, ishte pjesë e raportit të Departamentit amerikan të Shtetit.

Raporti vë në dukje kushtet e këqija në burgje, mungesën e ushqimit dhe kushtet e papërshtatshme sanitare.

“Problem mbetet mbipopullimi, sidomos në disa reparte të burgut të Idrizovës, burgut më të madh në vend. Disa qeli në Idrizovë janë me nga 16 deri në 19 të burgosur. Mungojnë kushtet edukuese dhe trajnimi për aftësitë e punës së të miturve, si dhe akomodimi i pamjaftueshëm i vajzave të mitura të moshës 14 deri në 16 vjeç”, thuhet në raportin që bazohet në të dhënat e Avokatit të Popullit të Maqedonisë së Veriut.

Sipas Raportit të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor të cituar nga Departamenti i Shtetit, burgjet në Maqedoninë e Veriut nuk menaxhohen si duhet, ndërsa ka korrupsion endemik midis personelit të burgut, dhunë midis të burgosurve, kujdes të pamjaftueshëm shëndetësor dhe kushte të rënda, sidomos në Idrizovë.

Edhe sipas raportit të fundit (nëntor 2022) të Komitetit të Helsinkit dhe Juristëve të Rinj, në disa burgje nuk ka kushte elementare humane për qëndrim.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka pranuar kritikat për gjendjen e pavolitshme në burgje, por ka thënë se institucionet po punojnë për përmirësimin e kushteve për të burgosurit. /REL/

Shpërndaje në rrjete sociale