Në Mal të Zi, 41.1 për qind e qytetarëve deklarohen si malazezë, ndërsa 32.9 për qind si serbë, tregojnë rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë, që u bë në dhjetor të vitit 2023.
Ato u publikuan të martën nga Drejtoria e Statistikave në këtë vend, MONSTAT.
Për krahasim, në regjistrimin e parafundit – më 2011 – 45 për qind ishin malazezë dhe rreth 29 për qind ishin serbë.
Të dhënat e fundit tregojnë, po ashtu, se popullsinë e Malit të Zi e përbëjnë 9.45% boshnjakë, 4.97% shqiptarë, 2% rusë dhe 1.6% myslimanë.
Krahasuar me regjistrimin e parafundit, numri i shqiptarëve duket stabil: më 2011 ishin 4.91%, apo 30.439, ndërsa tani janë 30.978.
Në regjistrimin e fundit, rreth 2.8% e popullsisë nuk u deklaruan.
Në Mal të Zi, përndryshe, jetojnë 623.633 banorë, që do të thotë 0.6% më shumë se në vitin 2011.
Në pyetjen se çfarë gjuhe flasin, 36.2% thanë gjuhën malazeze, ndërsa 43.5% gjuhën serbe.
Sipas fesë, qytetarët e Malit të Zi ndahen në ortodoksë – 71.1%, myslimanë – 20% dhe katolikë – 3.2%.
Regjistrimi i rregullt i popullsisë në Mal të Zi duhej të bëhej në vitin 2021, por, fillimisht, u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Pas saj, ai u shty disa herë, për shkak të mosbesimit të opozitës në atë proces.
Partia Demokratike e Socialistëve shprehu vazhdimisht dyshime se qëllimi i vërtetë i regjistrimit ishte rritja e numrit të serbëve në Mal të Zi dhe ulja e numrit të malazezëve.
Për muaj të tërë, forcat dhe mediat proserbe e proruse bënë fushatë, duke u kërkuar qytetarëve që të deklaroheshin si serbë.
Fushatës iu bashkua edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të identifikoheshin si pjesëtarë të popullit serb dhe besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që flasin gjuhën serbe.
Krerët e kësaj kishe e mohojnë kombin malazez, duke e klasifikuar atë si pjesë të korpusit serb.
Në atë kohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, fliste vazhdimisht për rëndësinë e regjistrimit në përcaktimin e numrit të serbëve në Mal të Zi./ Evropa e Lirë/
Komuna e Fushë Kosovës anulon vendimin për shpronësim të pro...
FSK dhe ushtria britanike në trajnim të avancuar në Belize
Dy të vdekur nga një sulm palestinez në Izrael
IKSHPK bën thirrje për vaksinim kundër gripit sezonal
E rëndë: Rryma ia merr jetën një të riu në Malësi të Madhe
Gjermania po përgatit rregulla të rrepta për mediat sociale,...