Edhe pse procesi i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO ende nuk është përfunduar plotësisht, në takimin e NATO-s në Bruksel, Mali i Zi mori pjesë thuajse si anëtar. Mali i Zi pritet t’i bashkohet NATO-s në fillim të qershorit.
Por për kryeministrin malazez Dushko Markoviç takimi i NATO-s paraqiti një sfidë. Kur grupi i pjesëmarrësve po bëhej gati për një fotografi me drejtuesit e NATO-s, Presidenti i SHBA-së Donald Trump e shtyu atë duke u përpjekur që të dilte në krye të grupit. Ky incident u përhap shumë shpejt në mediat sociale.
Moska qesëndis
Kjo ngjarje nuk mund të kalonte pa u vënë re edhe nga Moska. Deputeti rus Aleksej Pushkov shkroi në twitter se sjellja e Trumpit nuk qe “tepër e sjellshme”, por se ajo “gjithësesi vetëm se tregon vendin e vërtetë [të Malit të] brenda aleancës.”
Presidenti Trump shtyn kryeministrin malazez Dushko Markoviç në takimin e NATO-s .
Pranimi i Malit të Zi, si anëtar i 29-të i NATO-s i ka acaruar edhe më tej tensionet tashmë ekzistuese mes saj dhe Rusisë për shkak të krizës së Ukrainës. Moska e ka paralajmëruar disa herë NATO-n që të mos e pranojë Malin e Zi dhe Kremlini kërcënoi edhe me “kundërmasa”.
Moska e sheh në përgjithësi me dyshim zgjerimin e vazhdueshëm të aleancës perëndimore ushtarake në ish-sferën e saj të ndikimit. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, NATO-ja është shtuar me dymbëdhjetë anëtarë të rinj, sidomos nga Evropa Lindore. Në vitin 2009 u anëtarësuan edhe Kroacia dhe Shqipëria.
Me pranimin e Malit të Zi, ushtria e të cilit ka vetëm 2,000 ushtarë edhe bregdeti lindor i Adriatikut bëhet plotësisht pjesë e territorit të NATO-s. Mali i Zi ka 630.000 banorë dhe u nda në vitin 2006 nga Serbia. Rreth 70 për qind e popullsisë janë të krishterë ortodoksë. Mali i Zi ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka qenë për kohë të gjatë aleat i ngushtë i Moskës.
Kremlini i fokusuar te ish vendet e BRSS-së
Pavarësisht reagimeve të ashpra nga Rusia, Kremlini nuk është i gatshëm të përdorë burime të konsiderueshme për ta mbajtur Malin e Zi jashtë sferës së orbitës amerikane, thotë Maksim Samorukov nga Qendra Carnegie në Moskë.
“Mali i Zi është larg kufijve të Rusisë dhe është tashmë i rrethuar nga vende të NATO-s dhe nëse shohim tablonë e madhe – situata e sigurisë në Rusi do të mbetet kryesisht e pandryshuar pavarësisht faktit, nëse Mali i Zi bashkohet NATO-s ose jo”, tha ai për DW.
Sipas Samorukovit udhëheqja ruse aktualisht po i përqëndron burimet e saj në zona më afër shtëpisë, si Azia Qendrore, Krimeja dhe Kaukazi./DW
Blendi Fevziu publikon përgjigjet e patransmetuara të Thaçit...
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rry...
Fede Valverde reagon për herë të parë pas përplasjes me Aure...
Irani ka sulmuar tre shkatërrues amerikanë pranë Ngushticës ...
Akt barbar: Dëmtohet lapidari i UÇK-së në Binxhë të Klinës
Aston Villa e Freiburg fitojnë me përmbysje dhe sigurojnë fi...