Kristo, Beqiroviq dhe Cvijanoviq në rrugë për të fituar ulëse në presidencën e Bosnjës

08:41 | 3 Tetor 2022
Vjollca Gajraku

Kandidati i moderuar boshnjak, Denis Beqiroviq, është duke udhëhequr në garën për të fituar ulëse në presidencën trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, sipas rezultateve preliminare të publikuara në orët e para të së hënës.

Beqiroviq, anëtar i Partisë Socialdemokrate, i cili është përkrahur nga 11 parti opozitare, ka fituar 55.78 për qind të votave, për dallim nga Bakir Izetbegoviq, partia nacionaliste e të cilit – Partia për Veprim Demokratik – ka qenë në pushtet prej fundit të luftës më 1996.

Izetbegoviq, i cili sipas Komisionit zgjedhor ka fituar 39.31 për qind të votave, e ka pranuar humbjen të dielën.

Beqiroviq pritet të ndajë presidencën trepalëshe me përfaqësuesen e kroatëve të Bosnjës, Borjana Kristo, kandidate nga Bashkimi Demoratik Kroat (HDZ) dhe serben e Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq nga Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur.

Shtetasit e Bosnjës kanë votuar të dielën për përfaqësuesit e tyre në presidencën trepalëshe dhe ligjvënësit në nivelet kombëtare, rajonale dhe lokale.

Më shumë se 60.000 vëzhgues janë akredituar për të mbikëqyrur procesin.

Sipas autoriteteve, dalja në zgjedhje ka qenë 50 për qind, apo 2 për qind më pak sesa në zgjedhjet e vitit 2018.

Gara është konsideruar të jetë zhvilluar mes nacionalistëve dhe reformistëve të fokusuar në ekonomi.

Zyrtarët kanë thënë se procesi zgjedhor është zhvilluar mirë, pavarësisht raportimeve për parregullsi dhe ndalim të disa personave për mashtrime zgjedhore.

Aktualisht Bosnje-Hercegovina është duke u përballur me krizën më të rëndë politike prej fundit të luftës së viteve 1990, sidomos për shkak të politikave separatiste të udhëheqësisë së serbëve të Bosnjës dhe kërcënimeve për bllokada nga kroatët në këtë shtet./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale