Pse po vjen faza tjetër e kapitalizmit

19:30 | 5 Qershor 2021

Gati 250 vjet më parë ekonomisti dhe filozofi Adam Smith shkroi librin“Pasuria e kombeve” në të cilin përshkroi lindjen e një forme të re të veprimtarisë njerëzore:kapitalizmit industrial. Ajo do të çonte në grumbullimin e pasurisë përtej çdo gjëje që mund ta kishin imagjinuar deri atëherë ai dhe bashkëkohësit e tij.

Kapitalizmi ka nxitur revolucionet industriale, teknologjike dhe të gjelbra, e ka riformuar botën natyrore dhe transformuar rolin e shtetit në raport me shoqërinë. Ai ka nxjerrë shumë njerëz nga varfëria gjatë dy shekujve të fundit, ka rritur ndjeshëm standardet e jetesës dhe ka sjellë risi të cilat e kanë përmirësuar rrënjësisht mirëqenien e njeriut.

Njëkohësisht, ai na ka dhënë mundësinë të shkojmë në Hënë, apo ta lexojmë këtë artikull në internet. Gjithsesi, historia e tij nuk është tërësisht pozitive. Vitet e fundit janë bërë gjithnjë e më të dukshme të metat e kapitalizmit.

Përcaktimi i përparësive të fitimeve afatshkurtra për individët,nënkupton ndonjëherë sakrifikimin e mirëqenies afatgjatë të shoqërisë dhe mjedisit, sidomos tani që bota është përballur me pandeminë e Covid-19 dhe ndryshimin e klimës.

Dhe siç kanë treguar trazirat politike dhe polarizimi në të gjithë botën, ka shenja në rritje të pakënaqësisë me statuskuonë. Në një studim të vitit 2020 nga kompania “Edelman”, 57 për qind e njerëzve në të gjithë botën, u shprehën se “kapitalizmi në formën aktuale po i sjell botës më shumë dëme sesa dobi”.

“Në fakt, nëse gjykoni sipas parametrave të tillë si pabarazia dhe dëmtimi i mjedisit, performanca e kapitalizmit perëndimor në dekadat e fundit ka qenë shumë problematike”- shkruajnë ekonomistët Majkëll Xhejkëbs dhe Mariana Maxukato kohët e fundit në librin e tyre “Të rimendojmë kapitalizmin”.

Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se nuk ka zgjidhje. “Kapitalizmi perëndimor nuk është i destinuar të dështojë në mënyrë të pakthyeshme; por ai duhet të reformohet”- argumentojnë Xhejkëbs dhe Mazukato. Pra, a do të vazhdojë kapitalizmi siç e njohim në formën e tij aktuale, apo mund të ketë një të ardhme tjetër përpara?

Kapitalizmi nuk ka funksionuar gjithmonë siç funksionon sot, sidomos në Perëndim.

Midis shekujve IX-XV, monarkitë autokratike dhe hierarkitë kishtare e dominuan shoqërinë perëndimore. Këto sisteme nisën të shemben, njerëzit nisën të kërkonin gjithnjë e më shumë të drejtën e tyre për lirinë individuale.

Kjo gjë nxiti një fokus më të madh tek kapitali individual si një sistem ekonomik për shkak të fleksibilitetit që lejonte për të drejtat e pronës private, zgjedhjen personale, sipërmarrjen dhe inovacionin. Gjithashtu ajo favorizoi demokracinë si një sistem qeverisës për shkak të përqendrimit të saj mbi lirinë politike individuale.

Zhvendosja drejt një lirie më të madhe individuale, e ndryshoi kontratën sociale. Më parë, shumë burime siguroheshin nga ata që kishin pushtet (tokë, ushqim dhe mbrojtje) në këmbim të kontributeve të konsiderueshme nga qytetarët (për shembull, nga puna e skllevërve tek puna e rëndë e paguar pak, taksat e larta dhe besnikëria e padiskutueshme).

Me kapitalizmin, njerëzit prisnin më pak nga autoritetet qeverisëse, në këmbim të lirive më të mëdha civile, përfshirë lirinë individuale, politike dhe ekonomike. Kapitalizmi do të evoluonte ndjeshëm gjatë shekujve në vijim, dhe sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.

Pas Luftës së Dytë Botërore u themelua shoqata “Mont Pelerin“, një think tank i politikës ekonomike, me synim adresimin e sfidave me të cilat përballet Perëndimi. Fokusi i tij specifik ishte mbrojtja e vlerave politike të një shoqërie të hapur, sundimin e ligjit, liria e shprehjes dhe politikat ekonomike të tregut të lirë, që ishin parimet qendrore të liberalizmit klasik.

Idetë e saj krijuan përfundimisht “ekonomi nga ana e ofertës”. Ky ishte besimi se taksat më të ulëta dhe rregullimi minimal i tregut të lirë do të çonte në një rritje më të madhe ekonomike, dhe kësisoj në një jetë më të mirë për të gjithë. Në vitet 1980, bashkë me shfaqjen e neo-liberalizmit politik, ekonomia e orientuar nga oferta u bë prioritet për SHBA-në dhe shumë qeveri evropiane.

Ky lloj i ri i kapitalizmit ka çuar në rritje ekonomike në të gjithë botën, dhe ka nxjerrë shumë njerëz nga varfëria absolute. Por njëkohësisht, kritikët argumentojnë se parimet e uljes së taksave dhe reduktimit të rregulloreve për biznesin, kanë bërë pak për të mbështetur investimet politike në shërbimet publike, për të adresuar problemet në infrastrukturën publike, arsim dhe sistemin shëndetësor publik.

Por më i rëndësishëm është fakti që në shumë vende të zhvilluara, kapitalizmi i shekullit XX-të ka kontribuar në një hendek të madh midis më të pasurve dhe më të varfërve. Si rezultat i rritjes së pabarazisë “njerëzit kanë më pak besim tek institucionet, dhe përjetojnë një ndjenjë padrejtësie” thekson raportit i“Edelman”.

Por ndikimi mbi jetën e njerëzve mund të jetë edhe më i thellë. Në formën e tij aktuale, kapitalizmi po shkatërron jetën e shumë njerëzve të klasës punëtore, argumentojnë ekonomistët Ana Kejs dhe Diton në librin e tyre “Vdekjet nga dëshpërimi dhe e ardhmja e kapitalizmit”.

Sipas tyre, gjatë 2 dekadave të fundit vdekjet nga vetëvrasja, mbidoza e drogës dhe alkoolizmi janë rritur në mënyrë dramatike, dhe po shkaktojnë qindra mijëra viktima vetëm në SHBA. Dhe kriza financiare e viteve 2007-2008, vetëm sa i përkeqësoi këto probleme.

Por sot demokracitë liberale mund të jenë në një pikë kthese, ku qytetarët po i kundërshtojnë me një intensitet më të madh politik në të gjithë botën normat e sotme kapitaliste. J.Patris Meksherri, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin Long Ajland në Nju Jork, e ka vënë re këtë ndryshim në Kili.

“Mobilizimi social filloi me një rritje të çmimeve të metrosë në tetor 2019, duke shkaktuar protesta me bazë të gjerë që nxorën në sheshe mbi 1 milionë njerëz”- thotë ajo. Në mënyrë

të ngjashme, lëvizja e Jelekëverdhëve që nisi në Francë në vitin 2018, nisi në fillim kundër rritjes së çmimit të karburantit për udhëtarët, por u zgjerua shumë shpejt duke përfshirë ankesa të ngjashme me ato në Kili, pra mbi koston e jetesës, rritjen e pabarazisë dhe kërkesën që qeveria të mos injorojë nevojat e qytetarëve të zakonshëm.

Ndërkohë edhe në SHBA, lëvizja politike që krijoi Trumpizmin ushqehet pa dyshim nga pabarazia ekonomike, po aq sa edhe ideologjia. Ndërsa një përgjigje ndaj dobësive të kapitalizmit, është që vendet të kenë një qëndrim mbrojtës, duke minimizuar lidhjet e jashtme, qasja proteksioniste “është dritëshkurtër, sidomos kur bëhet fjalë për tregtinë” thotë Anahita Toms, drejtuese e Forumit Ekonomik Botëror.

Një nga sfidat qendrore për qeveritë në shekullin XXI do të jetë të gjejnë një mënyrë se si të ekuilibrojnë këto përfitime afatgjata të tregtisë globale, me dëmet afatshkurtra që globalizimi mund të sjellë në komunitetet lokale të prekura nga pagat e ulëta apo papunësia.

Pra mund të ketë ardhur koha të rishikojmë kontratën sociale mbi kapitalizmin, në mënyrë që ky sistem të bëhet më gjithëpërfshirës dhe përfaqësues i një grupi më të gjerë interesash, përtej të drejtave dhe lirive individuale. Vitet e fundit po flitet për “kapitalizmin e përgjegjshëm”, “kapitalizmin gjithëpërfshirës”.Kemi edhe modelin e “Pesë kapitaleve”artikuluar nga Xhonatan Porit, që bën thirrje për integrimin e 5 shtyllave të kapitalit njerëzor -që janë ato natyrore, njerëzore, sociale, të prodhuara dhe kapitalit financiar – në modelet ekzistuese ekonomike. / Marrë me shkurtime nga “BBC” – Bota.al

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara