Hoti: Shqetësuese mbetet mungesa e transparencës në dialogun Kosovë–Serbi

12:36 | 24 Prill 2026
E.K

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Abdullah Hoti, ka kritikuar mungesën e transparencës në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar atë shqetësuese për Kuvendin dhe qytetarët.

Ai tha se zhvillimet e fundit në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit kanë ndikuar që, sipas tij, qeveria të jetë më e rezervuar në raportim ndaj Kuvendit për ecurinë e procesit.

Hoti theksoi se dialogu është kthyer në një qasje që i ngjan “dialogut teknik”, në vend të një procesi të orientuar drejt një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke.

“Në emër të grupit parlamentar të LDK-së, do të flas për dy tema nacionale, e para është dialogu me Serbinë. Gjatë këtyre muajve dhe viteve, në menaxhimin e këtij procesi është një kthim prapa dhe nuk është hera e parë që po e përmendim, sepse ka pasur një dakordim që ky proces të orientohet drejt marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke, ndërkohë që tash është kthyer mbrapa, në atë që ne e kemi quajtur për vite të tëra, dialog teknik”, tha Hoti.