Macron nis vizitë dy-ditore në Greqi, në fokus marrëveshjet strategjike dhe mbrojtja

12:18 | 24 Prill 2026
E.K

Presidenti francez Emmanuel Macron ka nisur këtë të premte (24 prill) një vizitë zyrtare dy-ditore në Greqi, e cila vlerësohet si shumë simbolike në një moment tensionesh gjeopolitike dhe përpjekjesh për forcimin e bashkëpunimit evropian në fushën e sigurisë dhe ekonomisë.

Sipas agjendës zyrtare, Macron mbërrin pasditen e sotme në Athinë, ku do të marrë pjesë në një aktivitet në Forumin Romak, në prani të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Më pas, ai do të pritet në Pallatin Presidencial nga homologu grek Konstantinos Tasoulas, i cili do të shtrojë një darkë zyrtare për homologun francez.

Të shtunën (25 prill), vizita vijon me një sërë takimesh dhe aktivitetesh zyrtare. Macron dhe Mitsotakis do të vizitojnë fregatën “Kimon” në Pire, ndërsa më pas do të zhvillojnë një takim në rezidencën Maximos, ku pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjeve dhe deklaratat e përbashkëta për mediat.

Në orët e pasdites, dy liderët do të marrin pjesë në Forumin e Biznesit Greko-Francez në Qendrën Kulturore “Stavros Niarchos”, ku do të mbajnë edhe fjalime mbi bashkëpunimin ekonomik dhe strategjik.

Në qendër të vizitës është rinovimi i marrëveshjes së bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve në fushat e mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë, si dhe thellimi i bashkëpunimit në inovacion dhe mbrojtje civile. Sipas burimeve qeveritare, vizita vjen në një moment kur Evropa po kërkon forcim të autonomisë së saj strategjike, në koordinim me NATO-n.

Marrëveshja e parë strategjike mes dy vendeve u nënshkrua në vitin 2021 në Pallatin Élysée dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ushtarak dhe politik në rajon.

Në axhendën e diskutimeve përfshihen gjithashtu çështje të sigurisë së lundrimit, me fokus të veçantë në Ngushticën e Hormuzit, si dhe mbrojtja e të miturve në internet, ku Greqia dhe Franca janë ndër vendet udhëheqëse në nismat rregullatore në nivel evropian.

Pallati Élysée theksoi se vizita “vë në pah lidhjet historike mes Francës dhe Greqisë dhe bashkëpunimin e tyre të ngushtë në mbrojtje dhe në vlera të përbashkëta evropiane”.