Marrëveshja për Bordin e Paqes futet në rend dite në seancën e sotme të Kuvendit

12:00 | 24 Prill 2026
Q L

Kuvendi i Kosovës ka votuar për shmangie procedurale nga rendi i ditës, në mënyrë që në rend të ditës në seancën e sotme të futet marrëveshja për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes.

Në rend dite u kërkua që të futen sot edhe projektligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe ai për Energjinë, por nuk morën miratimin e e deputetëve.

Paraprakisht dje ishte caktuar që anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes të shqyrtohet në seancën e 27 prillit.

Në seancën e sotme, pritet po ashtu që të bëhet zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, zgjedhja e anëtarëve në Komisionin e Pavarur të Mediave dhe shqyrtimi i Propozim-rezolutës për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj komunitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në përputhje me standardet evropiane.

Kjo është seanca e dytë për sot. Paraprakisht u mbajt seancë në nderim të ish-kongresmenit amerikan, Eliot Engel, i cili vdiq më 10 prill.

Shpërndaje në rrjete sociale