Farat e lulediellit dhe faktet ushqyese rreth tyre

09:03 | 4 Korrik 2016
Arbresh.info

Farat e lulediellit janë një burim i shkëlqyer i acideve yndyrore esenciale, vitaminave dhe mineraleve. Bërthama e lulediellit përdoret për të nxjerrë vajin ushqyes në nivel komercial. Përveç që mund të përdoren si ushqim i shpejtë “snack”, ato mund të gjejnë përdorim edhe në shumëllojshmëri të recetave në gatim.

Luledielli është një bimë vjetore që i përket familjes Asteraceae, me gjini: Helianthus. Është vendase në rajonin e mesëm amerikan, nga ku edhe u përhap si një kulturë e rëndësishme tregtare në të gjithë botën, përmes eksploruesve Evropianë. Sot, Rusia, Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Argjentina janë prodhuesit kryesor të kulturës së lulediellit.

Luledielli lulëzon në tokë rërore me lagështi, nga ku preferon rrezet e diellit. Koka e lulediellit përbëhet nga dy lloje lulesh. Përderisa perimetri i tij përbëhet nga petale të verdha të mëdha dhe sterile, pjesa qendrore përbëhet nga lule të shumta të imëta në renditura në mënyrë koncentrike, të cilat më pas konvertohen në fara ushqyese.

Farat e lulediellit janë rreth 6 mm deri 10 mm gjatësi, kanë formë konike me sipërfaqe të lëmuar. Janë të mbështjellur me lëvore të zezë ndërsa brenda gjendet fara ushqyese. Çdo kokë luledielli mund të mbajë disa qindra fara luledielli.

Përfitimet shëndetësore të farës së lulediellit

Të këndshme në shije, këto fara konsiderohen si burim i shëndetshëm me vlera të larta ushqyese. Ato përmbajnë vlerë të lartë energjike. 100 gr. fara ofrojnë rreth 584 kalori. Janë një nga burimet e shëndetshme që përmbajnë minerale, vitamina dhe antioksidantë.

  • Pjesa më e madhe e kalorive vijnë nga acidet yndyrore. Farat janë veçanërisht të pasura me acid linoleik, i cili ndihmon në uljen e kolesterolit të keq dhe rrit kolesterolin e mirë në gjak.
  • Ashtu sikur frutat tjerë arror, këto janë një burim i mirë i proteinave, me aminoacide cilësore, siç është triptofani, e që janë esencial për rritje, sidomos tek fëmijët. Vetëm 100 gr. fara sigurojnë 21 gr. proteina, apo 37% e vlerës së rekomanduar ditore.
  • Përveç kësaj, farat e lulediellit përmbajnë komponime shëndetësore siç janë acidi klorogjenik, acidi quinic dhe acidi kafeik. Këto komponime shquhen si antioksidantë natyral, të cilët ndihmojnë në pastrimin e molekulave të dëmshme oksiduese nga trupi.
  • Këto fara janë një burim i pasur i vitaminës E, përmbajnë rreth 35.17 gr. në 100 gr. vitamina E është një antioksidant i fuqishëm, i nevojshëm për ruajtjen e integritetit të lëkurës duke e mbrojtur atë nga radikalet e lira të dëmshme.
  • Gjithashtu janë të pasur edhe me vitamina B-kompleks, të tilla si niacin, acid folik, vitamin B1, B6, acid pantotenik dhe riboflavin.
  • Farat e lulediellit janë burim i mrekullueshëm i acidit folik. 100 gr. fara përmban 227 mg. të acidit folik, i cili është rreth 37% e sasisë së rekomanduar ditore. Acidi folik është thelbësor për sintezën e ADN-së. niacini dhe pyridoksin janë vitamina B-kompleks që gjenden në sasi të lartë të këto fara. Niacini ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit të keq në gjak, përveç kësaj, ajo rrit aktivitetin brenda trurit dhe ndihmon në uljen e ankthit dhe neurozës.
  • Farat e lulediellit janë të pasura edhe me minerale esenciale. Kalciumi, hekuri, mangani, zinku, seleni dhe bakri, janë kryesisht të përqëndruar në farat e lulediellit. Të gjithë këto minerale luajnë rol të rëndësishëm në mineralizimin e eshtrave, prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, sekretimin e enzimës, prodhimin e hormoneve, rregullimin e aktivitetit të zemrës dhe muskujve.
  • Vetëm një grusht me fara luledielli në ditë siguron pjesën më të madhe të nivelit të rekomanduar të antioksidantëve fenolik, mineraleve, vitaminave dhe proteinave.

Përzgjedhja dhe ruajtja

Farat e lulediellit mund të gjenden në të gjitha shitoret ushqimore, të kripura, të pjekura, të qeruara etj. Shmangni farat që kanë qëndruar gjatë kohë sepse priren që të kenë shije të hidhur dhe të prishur.

Në kushte shtëpiake, farat e lulediellit duhet të mbyllen në enë hermetike apo kavanozë që mos të zbuten, si dhe të ruhen në ambient të thatë e të freskët.

Përdorimet në kuzhinë

Farat e lulediellit përdoren kryesisht për të nxjerrë vajin e gatimit. Përdoren edhe në ëmbëltore, por edhe si ushqim i shpendëve.

Ja disa këshilla që mund të ju shërbejnë:

  • Farat mund të konsumohen ashtu siç janë, si një meze e lehtë, të pjekur apo të kripur.
  • Përdoren si shtesë në sallata.
  • Mund ta shtoni gjatë përgatitjes së orizit apo në dekorimin e garniturave ushqyese.
  • Farat e lulediellit mund të mvishen me çokollatë, në ëmbëlsira apo muffins të ndryshëm.
  • Mund të përdoret si shtojcë në bukë, pasta të ndryshme, kifle apo brumëra tjera.

Profili i sigurisë

Alergjia nga farat e lulediellit është mjaft e rrallë dhe mund të kap vetëm disa individë që kanë ndjeshmëri të lartë. Megjithatë reagimet mund të përfshijnë irritim të lëkurës, teshtimë, gastrit, të vjella etj. Nëse jeni alergjik ndaj tyre, këshillohet që të ndërpritni konsumin e farave./femra.net/

Shpërndaje në rrjete sociale