Zvarritjet që po i kushtojnë miliona euro Kosovës (VIDEO)

10:47 | 20 Gusht 2017

Deputetja nga radhët e LDK-së ish-ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka thënë se zvarritja e formimit të Qeverisë dhe institucioneve e shpiejnë vendin në një krizë të madhe ekonomike.

Ajo në një intervistë për portalin arbresh.info ka treguar fondet dhe projektet të cilat kanë mbetur peng për shkak të mosformimit të Qeverisë, dhe se lista e humbjeve potenciale është tejet e madhe.

“Vendi tani më ka filluar të gjendet në një krizë buxhetore në mungesë të ratifikimit të buxhetit. Janë një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare që është dashur të ratifikohen në kuvend dhe si rezultat i kësaj ka shumë mundësi që të humben fonde. Janë 75 milion IPA fonde të bashkësisë evropiane ku 25 prej tyre janë të parapara si mbështetje direkte buxhetore për reformë në administratë publike që do të lehtësonte jetën e qytetarëve po para së gjithash të bizneseve. Janë projekte të parapara në sferën e ujitjes, në bujqësi, në arsim, në shëndetësi. Në mungesë të rishikimit të marrëveshjes me FMN-në humbet edhe një transhe e kredisë prej 15 milion euro”, ka thënë ajo.

Bajrami ka shtuar se jo vetëm që mund të humbin këto projekte por kështu dëmtohet edhe imazhi i vendit dhe se sipas saj ka gjasa që ti humbin edhe ofruesit e këtyre projekteve.

“Në qoftëse futemi në një krizë buxhetore dhe jo stabilitetit makrofiskal dëmtohet imazhi i Kosovës dhe humben këto fonde, humbin investitorët. Në qoftëse vendi nuk ka kapacitete t’i shfrytëzoj ato, atëherë Bashkësia Evropiane mund t’ua jap të tjerave vende. Të gjitha këto projekte kanë një afat të caktuar andaj është mirë ta shfrytëzojmë e të mos mbesin peng institucionet”, është shprehur ajo.

Ish-ministrja ka folur edhe për mundësinë e shkuarjes prapë në zgjedhje ku sipas saj votuesit e PAN-it kësaj herë duhet të vetëdijesohen.

“245 mijë votues të PAN-it duhet të binden tani më që ata pas turit dëgjimor dhe shkuarjes në zgjedhje për të zgjedhur një qeveri e cila është dashur të marr vendime të mëdha, PAN-i u ka dokumentuar atyre që nuk kanë votuar për një jetë më të mirë, nuk kanë votuar për vende të reja të punës, për liberalizim vizash, për formimin e ushtrisë së Kosovës. Ata që kanë votuar për ta, vota e tyre është peng i pozitës së Zotit Veseli e Haradinaj që në asnjë formë nuk po mund ti mbledhin numrat që ata të marrin postin e kryeparlamentarit dhe kryeministrit. ”

Ajo ka deklaruar se Kuvendi është institucioni që mund ta dërgoj vendin në zgjedhje duke u shpërbër.

“Në fakt unë nuk e di nëse një Kuvend i pakonstituoum si mund ta shpërbëj prapë Kuvendin. Ka rrezik të zgjedhjeve të përgjithshëm dhe kjo duhet të qartësohet mirë se kush është ai që do t’i shpallë zgjedhjet”, deklaroi ajo.

Të enjten, është caktuar vazhdimi i seancës konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarëve.

Data 24 gusht, është propozuar nga koalicioni PAN, në takimin konsultativ, por përfaqësues të LDK-së, AKR-së dhe Alternativës kanë shprehur dyshimet se koalicioni PAN mund të mos jetë i pranishëm edhe në datën e propozuar nga vetë ata.

Javën e kaluar, në takimin konsultativ, PAN-i propozoi që seanca të mbahet më 17 ose 18 gusht, por të mërkurën ata shtyen propozimin e tyre për një javë.
Sipas tyre, 48 orë pas konstitumit të plotë të Legjislaturës së Gjashtë PAN-i do të arrijë të formojë edhe Qeverinë, të cilën e presin vendime të mëdha politike, ekonomike dhe sociale. /V.Berisha/arbresh.info/

Lajmet më të lexuara