Zjarrfikësit në të njëjtën situatë si policët, nuk kanë marrë shtesat për muajin mars

15:17 | 29 Mars 2025
E.K

Përveç pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët nuk kanë marrë shtesat për muajin mars, ka dalë në dritë se edhe zjarrfikësit po përballen me të njëjtin problem.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, ka konfirmuar për Arbresh.info se zjarrfikësit nuk i kanë marrë shtesat e pritura për muajin mars.

Beka ka shpjeguar se, deri tani, vetëm tri komuna kanë paguar shtesat për zjarrfikësit

Ai gjithashtu ka theksuar se pjesa dërrmuese e komunave nuk janë duke paguar zjarrfikësit për vitin 2025.

“Kam informata se vetëm në tre komuna i kanë pagua deri më tash. Komuna e Prishtinës këtë muaj nuk i ka marrë, nuk e di pse këtë muaj nuk i kanë paguar zjarrfikësit. I ka paguar komuna e Podujevës, komuna e Kamenicës dhe Suhareka. Pjesa dërrmuese e komunave nuk janë duke i paguar për vitin 2025. Prishtina për muajin janar i ka marrë shtesat, derisa për muajin shkurt jo. Suhareka i paguan rregullisht, Komuna e Podujevës i paguan dhe komuna e Kamenicës po ashtu. Gjilani i ka paguar deri tash, por tani kanë mbetur pa paguar. Zjarrfikësit janë një rast specifik. Zjarrfikësit nuk paguhen me vite, nuk ka pagesa të rregullta”, tha ai.

Ndryshe, mbrëmë me një komunikatë për media Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vonesën në pagesën e ndërrimit të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë.

Sipas tyre Ministria e Financave duhet që të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura, duke siguruar kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë, në përputhje me të drejtat ligjore të zyrtarëve policorë./Arbresh.info