Google ADS

Zbulohet shtatorja e Adem Demaçit në Podujevë, Kurti: Heroi mund të jetë i vetëm në jetë, por nuk është kurrë jetim në histori

15:38 | 26 Nëntor 2023
E.H

“Sot jemi mbledhur për një homazh më shumë e për një imazh më të ngurtë të njeriut tonë të madh politik, Adem Demaçit, shkrimtarit, Adem Demës, njeriut të popullit, bacës Adem. Personalitet unik, në veprimin dhe me gjuhën e tij, në vetëmohimin për të tjerët dhe në shqipen tonë të dashur”, kështu e nis fjalën e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Adem Demaçit, në Podujevë.

Më tej, Kurti tha se për ne, si ndjekës të përpjekjeve të tij, do të jetë gjithnjë e vështirë të përkufizojmë personalitete të kësaj përmase, por na duhet t’i përkufizojmë në gjuhë e në gur, sepse këta janë dy binarët ku mbështetet treni ynë i historisë, përcjell Arbresh.info.

“Heroi mund të jetë i vetëm në jetë, por nuk është kurrë jetim në histori. Me këtë intuitë që përbashkon poetin dhe luftëtarin, vullneti i Adem Demaçit e mban lehtë një të tretën e jetës në burg”, tha kryeministri dhe shtoi se Adem Demaçi e ngre lirinë e vet mbi gjerësinë e trojeve, mbi gjeografinë e vullnetit.

“Gëzuar të gjithëve e secilit 28 Nëntori i Flamurit dhe i Pavarësisë! Përgëzime për këtë përmendore për të përvuajturin tonë më të fortë, për përvojën më të madhe të dashurisë për liri”, tha kryeministrit në fund të fjalës së tij./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme