Vjen më në fund reagimi i Sveçlës për 27-vjeçarin në Lipjan: Pres që sa më shpejt të zbardhet e vërteta

12:29 | 8 Korrik 2025
E.K

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Lipjan, ku një 27-vjeçar ndërroi jetë pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës.

Ai ka shtuar se si ministër, menjëherë pas marrjes së informacionit për ngjarjen, ka kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës, si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë hetimeve.

“Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal. Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë”, pohon ai.

Ministri i shprehu ngushëllimet familjes së viktimës dhe premtoi se drejtësia do të veprojë pa kompromis.

“Familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar”, tha ai.

Ai theksoi se Policia e Kosovës duhet të ruajë besimin e qytetarëve, duke vepruar në mënyrë profesionale, transparente dhe përgjegjëse./Arbresh.info