“Vizita e Trendafilovës rriti dyshimet në pavarësinë e Speciales dhe ishte justifikim për sponsorët e kësaj gjykate”

07:58 | 14 Shtator 2021

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë,  Ekatarina Trendafilova bashkë me administratoren ë kësaj gjykate, Fidelm Donlon ditë më parë qëndruan në një vizitë dyditore në  Kosovë.

Madje, ato mbajtën dy konferenca të ndara, një në Prishtinë dhe një tjetër në Mitrovicën Veriore, gjë për të cilën edhe u pyet Trendafilova gjatë konferencës së saj në Prishtinë, shkruan arbrsh.info.

Mbajtja e dy konferencave të ndara, u pa i ndarje etnike brenda Kosovës.

Megjithatë, përgjigja e Trendafilovës ishte e shkurt dhe jo shumë e qartë, duke pohuar se kjo nuk ndërlidhet me çështjet politike.

E para e Speciales nuk dha as ndonjë sqarim për rrjedhjen e dosjeve të kësaj gjykate në opinion vitin e kaluar, për çka edhe është ngritur aktakuzë në Hagë ndaj krerëve të Organizatës së OVL e UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Njohësit e çështjeve të drejtësisë e shohin si boshe dhe pa ndonjë mesazh.

Shala nga IKD: Mbajtja e dy konferencave reflekton se puna e gjykatës po bën ndarje etnike brenda Kosovës

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, (IKD) thotë se përmbajtja e kësaj konference kishte ndonjë domethënie dhe shumë pyetje sipas tij mbeten pa përgjigje.

“Nëse e analizojmë përmbajtjen e kësaj konferencë, shohim se nuk kishte ndonjë përmbajtje domethënëse apo të madhe, sepse fillimisht konferenca u konceptua si takim i kryetares së Gjykatës Speciale me shoqërinë civile dhe me mediat, mirëpo nuk u dha një përgjigje në shumë prej pretendimeve të ngritura paraprakisht nga ana e shoqërisë civile”, tha Shala për arbresh.info.

Sipas Shalës rastet në Dhomat e Specializuara nuk janë duke u gjykuar në mënyrë meritore, e për këtë kryetarja e kësaj gjykate nuk ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete.

“P.sh nuk u dha një përgjigje konkrete pse në Gjykatën Speciale ende nuk ka filluar asnjë rast në shqyrtim gjyqësor, pra rastet ende nuk janë duke u gjykuar në mënyrë meritore. Aspekt tjetër që nuk u përmend në këtë rast është edhe se si kanë dalur dosjet nga ana e Gjykatës Speciale. Ne e dimë që ka një aktakuzë aktive për këtë rast, mirëpo në kuptim të llogaridhënies brenda gjykatës Speciale ne ende nuk kemi marrë një informacion se si kanë dalur ato dosje”, u shpreh Shala.

Përveç pakënaqësisë në përgjigjet e Trendafiloves, konsideron se me mbajtjen e dy konferencave, një në Prishtinë dhe tjetrën në Mitrovicën Veriore, është përcjellur mesazh negativ tek opinioni dhe puna e gjykatës reflekton se po bën ndarje etnike brenda Kosovës.

“Për fat të keq tek opinioni përcillet mesazh negativ, në të kaluarën para miratimit të amendamentit që i hap rrugë gjykatës speciale, edhe në Kosovës ishin organizuar panele të ndryshme sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale, dhe këto panele janë përbërë si nga shqiptarë ashtu edhe nga serbët dhe asnjëherë nuk është paraqitur problem, pra vet në Kosovë nuk është bërë kjo ndarje. Nëse një ndarje e tillë bëhet përmes konferencave, njëra në Prishtinë e tjetra në Mitrovicë edhe nëse është për arsye logjistike domosdoshmërisht që do të dërgon një mesazh që paraqet ndarje etnike brenda Kosovës e që nuk do të duhej të reflektohej në punën e Gjykatës Speciale”,  tha Shala.

Jashari: Ardhja e Trendafilovës në Kosovë përpjekje për justifikim të punës së Speciales para vendeve të BE-së

Në anën tjetër, avokati Arbër Jashari e  ardhjen e Ekaterina Trendafilovës në Kosovë e sheh si arsyetim të saj ndaj sponsorëve të Gjykatës Speciale.

“Ardhja e Trandafilovës në Kosovë nuk paraqet kurrgjë të re. Unë e shoh si përpjekje për të justifikuar punën dhe mandatin e institucioneve që ajo udhëheqë, dhe atë  më tepër para sponzorizuesve të këtij institucioni, vendeve anëtare të BE-së”,, tha Jashari për arbresh.info.

Sipas tij, skepticizmi për Gjykatën Speciale nga dita në ditë po rritet.

Jashari konsideron se arsye tjetër e vizitës së Trëndafilovës në Kosovë mund të jetë fakti që edhe ajo e ka nuhatur se skepticizmi për këtë institucion ishte edhe më herët po që po vazhdon të rritet ende.

“Ajo mund të ketë vërejtur se skepticizmi për institucionin që drejton nga radhët e kosovarëve, po rritet dita ditës. Mbase brenga e saj është që ky skepticizëm të mos mbijë tek  “punëdhënësit” e saj në Bruksel”, thotë Jashari.

Sipas Jasharit vizita e kryetares së Dhomave të Specializuara në Mitrovicën e Veriut është shembulli më i mirë se si Specialja paragjykon në baza etnike.

“Vizita në Mitrovicën e Veriut është shembulli më i mirë, se si Specialja e sheh Kosovën, d.m.th ne “këta” (shqiptarët) dhe “ata” (serbët) dhe është përpjekje naive për të shfaqur një lloj neutraliteti, karshi dy palëve.  Mendoj se më këtë veprim, veç sa janë treguar hapur,  paragjykimet që ka kjo gjykatë, në baza etnike. Gjykatat kanë mision të vendosin drejtësi sipas ligjit, pa paragjykime etnike, kombëtare, racore e fetare, mirëpo siç po shihet kjo nuk vlen për Specialen”, u shpreh Jashari.

Madje Jashari pohon se nëse qëllimi i kësaj vizite ka qenë ngritja e besimit te Dhomat e Specializuara, ky veprim ka ndikuar ne drejtim të kundërt.

“Nëse qëllimi i ardhjes se saj, deri diku ka qenë edhe ngritja e besimit në këto Dhoma, ky veprim veç e ka ndikuar në drejtim të kundërt. Kjo kur dihet se gjyqësori i Kosovës është unik (neni 102 pika 2 e Kushtetutës), plotësisht te integruar, i cili kokën e ka në Prishtinë, dhe Trendafilova, është dashur të veproi sipas kësaj logjike”, shprehet ai.

Ndryshe, Gjykata Speciale, apo e njohur ndryshe edhe si Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është themeluar në gusht të vitit 2015  pas shumicës së votave që mori në Kuvendin e Kosovës, ku u aprovuan ndryshimet kushtetuese të cilat mundësuan themelimin e saj.

Prokuroria e Specializuar me seli në Hagë bëri arrestimin e parë në Kosovë në shtator të vitit 2020. Personi i  parë i arrestuar ishte ish-shefi i shërbimit sekret të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Sali Mustafa. /ArditëShkodra/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara

Të ngjashme