Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka reaguar për rastin e të paraburgosurit i cili bëri vetëvrasje në dhomën e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Sipas njoftimit, QKRMT u bënë thirrje Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që t’i marrin veprimet e nevojshme dhe të domosdoshme për krijimin e hapësirave të duhura për vendosjen dhe trajtimin e kryerësve me çrregullime mendore.
Njoftimi i plotë
Duke marrë shkas rastin e të paraburgosurit Y.D. (33 vjeç) i cili më datë 19.08.2021 bëri vetëvrasje në dhomën e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, edhe një herë u bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që t’i marrin veprimet e nevojshme dhe të domosdoshme për krijimin e hapësirave të duhura për vendosjen dhe trajtimin e kryerësve me çrregullime mendore.
QKRMT konsideron se, përkundër ofrimit të shërbimeve nga stafi shëndetësor dhe ai korrektues, vendosja e të paraburgosurit në fjalë, në Qendrën e Paraburgimit është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Për më tepër, rasti ne fjalë, që fatkeqësisht kulmoi me humbje jete, është emëruesi i përbashkët i shumë rasteve tjera, që në mënyrë konsistente shpërfaq neglizhencën dhe injorimin e rekomandimeve tona nga ana e institucioneve gjegjëse, për trajtimin e domosdoshëm të çështjes së vendosjes dhe kujdesit për kryerësit me çrregullime mendore.
Në raportimet e vazhdueshme të QKRMT-së, është potencuar pamundësia për trajtimin e këtyre rasteve brenda institucioneve korrektuese, duke evidentuar: mungesën e ofrimit të shërbimeve psikiatrike të vazhdueshme, mungesën e kapaciteteve të stafit korrektues, si dhe rrezikun e mundshëm të shkaktuar nga kryerësit me çrregullime mendore, duke përfshirë edhe vetëlëndimet dhe vetëvrasjet.
Sipas evidencave të QKRMT-së, në shumë raste këta persona janë vendosur në institucionet korrektuese në kundërshtim me Aktvendimet për caktimin e paraburgimit, ku gjykata e ka caktuar që paraburgimi dhe ekzaminimi psikiatrik të bëhet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK), mirëpo në mungesë të vendeve të lira në IPFK të paraburgosurit janë dërguar në qendrat e paraburgimit.
Prandaj, QKRMT i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që ta trajtojnë seriozisht çështjen e vendosjes dhe trajtimit të kryerësve me çrregullime mendore, në mënyrë që vendosja dhe trajtimi i tyre të jetë human dhe në harmoni me dispozitat ligjore në fuqi.
Sikurse në të kaluarën, edhe tani QKRMT mbetet e hapur për mbështetjen e çdo iniciative për trajtimin e kësaj çështje!
Sinqerisht,
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës./arbresh.info/
Trump: Armëpushimi me Iranin skadon të mërkurën, zgjatja `sh...
Drita rikthehet në elitën e basketbollit kosovar, mposht Pri...
Zulfaj: I kemi votat për president, vetëm duhet pjesëmarrja ...
Ushtria amerikane pretendon se ka devijuar 27 anije nga bllo...
Rreziku nga lëndët plasëse,Komisioni për Siguri shqyrton pro...
Rama ndan video nga takimi me Presidentin e Emirateve të Bas...