Vdes një 59-vjeçar në Ferizaj, bie nga kati i gjashtë i një objekti në ndërtim

13:10 | 13 Prill 2026
E.G

Një person ka humbur jetën pasi ka rënë nga një objekt në ndërtim në rrugën “Remzi Hoxha” në Ferizaj.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veselii cili tha se rasti ka ndodhur rreth orës 11:45, kur policia ka pranuar informatën për një person që kishte rënë nga një ndërtesë në ndërtim.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipet emergjente, të cilat kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

“Dyshohet se viktima është një mashkull rreth 59 vjeç, i cili ka rënë nga kati i gjashtë i objektit në ndërtim gjatë punimeve”, ka deklaruar Veseli.

Policia ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa për rastin janë njoftuar njësitet e hetimeve, forenzika rajonale dhe inspektorët komunalë të punës.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti janë në vazhdim, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se informata shtesë do të publikohen më vonë.