Ushtrimi më i madh ushtarak “Defender Europe” rikthehet në Kosovë, Kurti: Dëshmi e thellimit të partneriteti me SHBA-në

18:04 | 16 Prill 2025
E.H

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë të ditur se ushtrimi më i madh ushtarak “Defender Europe” do të rikthehet përsëri në Kosovë, për herë të tretë.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti tha se në këtë ushtrim që drejtohet nga SHBA-ja do të marrin pjesë 25 mijë ushtarak nga 29 vende aleate e partnere, përcjell Arbresh.info.

“Edhe kësaj radhe, Kosova do të jetë ndër 18 vendet nikoqire të ushtrimit më të madh ushtarak që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ku marrin pjesë 25 mijë ushtarakë nga 29 vende aleate e partnere. Nga 26 maji e deri më 6 qershor, do t’i mirëpresim rreth 12 mijë ushtarakë nga 19 vende për ushtrimin e reagimit të menjëhershëm, një nga tre ushtrimet që do të zhvillohen në kuadër të Defender Europe 25”, ka shkruar Kurti.

“Përveçse do të jemi nikoqir, risia është se këtë herë, në Aeroportin e Gjakovës, do të vendoset Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së ushtrisë amerikane, dhe nga aty, do të drejtohen të gjitha ushtrimet në rajonin e Ballkanit. Partneriteti dhe bashkëpunimi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mbrojtje dhe siguri po thellohet e zgjerohet, dhe ky moment është padyshim dëshmi e kësaj”, shtoi Kurti.

Në fund, Kurti theksoi se jemi të përkushtuar që të rrisim edhe më tej angazhimin e Kosovës në ruajtjen e paqes.

“Që nga ndarjet e larta buxhetore për çdo vit, pajisja e ushtarëve me armatim modern e gjithnjë më të shumtë e deri te ngritja e aftësive luftarake, përherë në bashkëpunim me shtetet anëtare të NATO-s, e kanë bërë Kosovën një vend të sigurtë si asnjëherë më parë dhe i tillë që kontribuon dhe eksporton stabilitet. Ne jemi të përkushtuar që të rrisim edhe më tej angazhimin e Kosovës në ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen e sigurisë në rajon e më gjerë”, tha Kurti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme