Ulja e derivateve nuk i lëviz çmimet e produkteve të konsumit

11:01 | 27 Maj 2023

Çmimet e derivateve të naftës javët e fundit kanë shënuar rënie përfshirë edhe në Kosovë.

Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe me produktet ushqimore, çmimi i të cilave ishte rritur proporcionalisht me të naftës nga fillimi i vitit të kaluar.

Krahas rritjeve të çmimeve një gjë e tillë nuk ka ndodhur me rritjen e pagave, e kjo gjë ka prekur ekonomikisht familjet kosovare.

Madje edhe prodhimet e stinës që prodhohen në vendin tonë konsiderohen të shtrenjta nga qytetarët.

Kadrijaj: Institucionet ta kenë një hap të duhur për ta lehtësuar portofolin e qytetarit

Mustafë Kadrijaj, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se çmimet e naftës variojnë nga bursa ndërkombëtare, sipas tij kjo ulje ka ndikuar nga rënia e çmimit të importit.

Ai thotë se fajin për ngritjen e çmimit të produkteve kanë institucionet, pasi që në mënyrë graduale do të duhet që të binin çmimet.

“Kur flasim për çmimin e naftës duhet të kemi të qartë që variojnë sipas bursës ndërkombëtare. Në këtë rast vlerësoj që çmimet e naftës janë në nivel të ekonomisë të lirë të konkurrencës së lirë në nivel ndërkombëtar. Ka ndikuar thjeshtë importi, ka rënë çmimi dhe është diktuar tek ne. Kur flasim për produktet e çmimeve të cilat përpunohen në Kosovë në mënyrë graduale do të duhet që të binin çmimet, për këtë fajin kanë institucionet tona. Bizneset një kohë të gjatë kanë punuar jo për fitime personale por ndoshta vetëm për t’ia dal dhe tani tentojnë që ta rikuperojnë vetëm nga ana financiare”, pohon ai.

Duke krahasuar çmimet e derivateve me shtetet e tjera, Kadrijaj thotë se Kosova nuk mund të veprojë me të njëjtat çmime, mirëpo, sipas tij, institucionet duhet të bëjnë një hap të duhur për ta lehtësuar portofolin e qytetarit.

“Nafta në disa shtete është jashtëzakonisht me çmime më të ulëta, mirëpo në rajon ne nuk mund të jemi me ato çmime në një euro sikur ka qenë në kohën e pandemisë. Tash e tutje duhet të veprohet me çmime të tjera e sidomos në tek pjesa e konsumit është absurditet tek pjesa e produktit bujqësore, që ne si vend kemi pasur mundësi që të mbulojmë një pjesë të madhe të tregut, por përderisa kemi një import të lartë çmime të larta të produktit bujqësore sidomos që në këtë kohë është konsumi i lartë i tyre, ishte dashur që institucionet tona të kenë një hap të duhur për ta lehtësuar portofolin e qytetarit”, shprehet Kadrijaj.

Ai thekson se derivatet nuk janë çështje për tu diskutuar, sipas tij në rrezik është konsumi final për shkak të pagave të ulëta në Kosovë.

“Edhe pse do të ketë një rritje të kërkesës për derivate vlerësoj se nuk do të ketë lëvizje shumë të madhe të çmimit të tyre. Rreziku më i madh është tek konsumi final për shkak se është një parim i ekonomisë që ata qytetarë që shumica e pagës koncentrohet në konsum, atëherë është tregues që pagat janë të ulëta dhe nuk mund ta mbulojnë konsumet e jo më për investim e kursime”, shprehet ai për Arbresh.info

Mulaj: Është një traditë e keqe në biznes

Ekonomisti, Ismet Mulaj thotë se është një traditë e keqe në biznes jo vetëm në Kosovë po në gjithë botën, pasi që kur ngritën qmimet, bizneset me vështiresi pranojnë ti ulin përseri qmimet.

“Realisht kjo është një traditë e keqe në biznes jo vetëm në Kosovë, po në gjithë botën. Për shkak se njëherë rriten çmimet dhe bizneset me shumë vështirësi pranojnë me i ulë çmimet. Edhe pse dikur burimi kryesor i rritjeve të çmimeve ka qenë nafta pas uljes së naftës nuk po praktikohet edhe ulja e çmimeve të produkteve të tjera. Kosova ka këtë problem të dyfishtë shumë të theksuar sesa vendet tjera, arsyeja është sepse e kanë mësuar klientët me ato çmime dhe klientët kur të mësohet me ato çmime nuk e kanë reagimin e duhur për t’i vetëdijesuar bizneset”, pohon Mulaj.

Në këtë situatë që po ndodhet vendi ynë, sipas ekonomistit, do të ulët besimi i klientëve dhe do t’i detyrojë që të gjejnë mënyra të tjera për tu furnizuar me produkte.

“Edhe pse çmimi i naftës është liruar për 30-40%. Tregu i naftës është stabilizuar shumë me rritjen e naftës me rritjen e kuotave për prodhim. Po ashtu BE dhe ShBA ka vënë kufizimet e shitjes së derivateve. Ndërsa produktet tjera ushqimore nuk janë ulur. Natyrisht që ulë besimin tek klienti dhe pastaj një pjesë e klientelës gjejnë mënyra të tjera që të furnizohen me konsumim, përmes blerjeve nga interneti apo përmes lëvizjeve që mund t’i bëjnë jashtë Kosovës”, tha ai.

Faktorët të cilët kanë ndikuar që të kemi çmime të papërballueshme, sipas Mulajt janë tregjet ndërkombëtare që t’i diktojnë çmimet e derivateve dhe kompanitë kosovare që synojnë të kenë fitim personal të madh.

“Janë dy faktorë, faktori i parë është ai ndërkombëtar sepse nafta blihet dhe ne i nënshtrohemi rregullave ndërkombëtare. Por faktori i dytë është kompanitë kosovare, sepse nëse ata synojnë me fitu me masë të madhe të fitimit, secili duhet të krijojë marrëveshje karton dhe me i koordinuar çmimet kjo shkon në dëm të konsumatorit dhe rrezikon që çmimet të mos ulen. Çmimet e naftës sipas statistikave ka hapësirë që ende të lirohet”, theksoi ekonomisti për Arbresh.info

Ndryshimi i çmimeve ka filluar që nga viti 2021, kryesisht në produktet si vaji 26.0 për qind, bukë dhe drithërat 21.2 për qind, mishi 18.9 për qind, si dhe sheqeri 18.9% etj.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), norma vjetore e inflacionit e matur në muajin mars 2023 me muajin mars 2022 është 7.6 për qind.

Ndër të tjera, i njëjti raport tregon se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill 2023 me muajin prill 2022 ishte 6.3%./Arbresh.info/Diellza Gashi/

Të ngjashme