“UÇK-ja t’i mbetet historianëve”, çështjet zhvillimore më urgjente

09:00 | 9 Maj 2021 | Vlora Selimi

Partitë opozitare do të duhej t’i lënë anash temat tendencioze, e të merren me çështje që i preokupojnë qytetarët e vendit.

Të paktën kështu thonë ata që merren me çështje politike në vend.

Ligjëruesi universitar i sistemeve politike, Nexhmedin Spahiu, thotë së miti i ngritur për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga disa persona në Kuvendin e Kosovës, është diskurs i gabuar dhe lë anash çështjet zhvillimore që i preokupojnë qytetarët.

“Është ngritur mit i rrejshëm për UÇK-në. Sigurisht që UÇK ka vlerat e saj, por mitizimi i saj i skajshëm është kontraproduktiv dhe në emër të UÇK-së po flasin ata që nuk kanë qenë me UÇK-në, madje ata që kanë qenë kundër UÇK-së. Ky diskurs është një diskurs jashtëzakonisht i dëmshëm për Kosovën dhe ndërpret ritmet e zhvillimit”, vlerëson Spahiu.

Ngritja e çështjes së luftës brenda hapësirës së Kuvendit edhe tash pas 20 vitesh është e paarsyeshme thotë ligjëruesi tjetër universitar, Mazllum Baraliu.

Sipas Baraliut vlerat e luftës janë ato që flasin vetë, e brenda Kuvendit duhet të shtrohen temat e zhvillimit ekonomik, çështjeve sociale e sigurimi i vaksinave, derisa thotë se nuk e di arsyen pse kjo temë po ngritet në këto momente nga disa persona.

“Në fokus duhet të jenë problemet e qytetarëve dhe zhvillimi ekonomik. Me këtë çështje të UÇK-së duhet t’i lëmë historianët të kryejnë këtë punë, dhe t’i kthehemi të tashmes dhe të ardhshmes, pasi kemi çështje të rëndësishme të pa trajtuara”, shprehet Baraliu.

Kujtojmë se pikërisht për çështjen dhe vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të enjten e 6 prillit është ndërprerë edhe seanca e Kuvendit të Kosovës.

Shkak i kësaj ndërprerje ishin ofendimet e përleshjet mes deputetëve të Vetëvendosjes e PDK-së edhe në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale.

Të gjitha këto reagime janë bërë në kohën kur po vazhdon debati për të ofruar garanci për lirimin me kusht të ish-presidentit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, nga Gjykata Speciale ku ata janë duke qëndruar në Hagë në paraburgim./V.Selimi/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara