U shpërngul në Stamboll, pas 60 vjetëve kthehet në Kosovë, adresa e parë është Lidhja e Prizrenit

12:10 | 6 Qershor 2021 | Vlora Selimi

Kishte shkuar foshnje disa muajshe, e tash pas më shumë se 60 vjet u rikthye aty ku lindi.

Është ky shqiptari nga Prizreni, Sabri Cengiz që të parën gjë që vizitoj posa erdhi në Kosovë ishte Lidhja e Prizrenit.

Në një rrëfim për Arbresh.info, mes emocioneve ka treguar kohën kur janë shpërngulur në Stamboll.

“Jemi shpërngulur në vitin 1958 kemi shkuar në Stamboll. Dhe më pastaj, nuk kemi ardhur. Tash që po e shoh jam shumë pishman që nuk kam ardhur. Pse? Këtu po e shoh sa bukur është̈ bërë̈, në Prizren si është̈ ruajtur tradita dhe historia. Vendi i parë që kam dashur ta shoh ka qenë Lidhja e Prizrenit”.

Ndonëse kanë kaluar dekada, Cengiz shprehet i lumtur që ato gjëra që i ka lexuar në libra tash po i mëson për se afërmi për prejardhjen e tij.

Ai ka një dëshira që fëmijët e tij të vijnë në vendlindjen e të parëve të tyre.

“Vetëm në libra kam lexuar. Por, tani që e shoh shumë bukur është̈ bërë. Shumë mirë që kam ardhë.  Mendoj prap të vij së shpejti, dhe t’i sjellë edhe fëmijët këtu ta shohin. Edhe ata duan ta shohin dhe do të vijnë sapo të kenë kohë”.

E për të mësuar historinë ashtu siç duhet, nga Shqipëria erdhi edhe mësuesja Floride Kapxhiu.

“Erdhëm ta vizitojmë Prizrenin, tash po e vizitojmë edhe muzeun. Kemi dëgju edhe më parë dhe kemi dashtë të shohim nga afër historinë e shqiptarëve se si arritën shqiptarët t’u mbizotërojnë sulmeve serbe”.

Për historinë e për të kaluarën e shqiptarëve janë të interesuar të dinë, jo vetëm shqiptar nga Shqipëria e Maqedonia Veriore, por edhe anekënd botës.

E lidhja e Prizrenit është vendi ku të gjithë drejtohen, thotë përgjegjësi i kompleksit, Parim Kosova.

Ai shpjegon se pandemia ka bërë që edhe vizitorët në këtë kompleks të reduktohen.

“Pandemi jo vetëm që shkaktoj telashe në njerëz e ekonomi ka ndikuar edhe në vizitor këtu në muze. Tashë dhjetë ditë është rritur numri i vizitorëve. Vizitor kemi nga Maqedonia Veriore, Shqipëria e bashkatdhetarët. Qëllimi i vizitorëve është që të mësojnë diçka më tepër për Qeverinë e parë shqiptare të përkohshme që ka zhvillu aktivitetet në këto hapësira”.

Ndryshe Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.

Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.

Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara