Tri javë deri te afati kushtetues për presidentin, ende pa marrëveshje

21:17 | 7 Prill 2026
R J

Ndonëse kanë mbetur edhe tri javë për përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, megjithatë as sot nuk u pa ndonjë lëvizje që mund të çonte në një marrëveshje për një emër konkret. Sipas njohësve të fushës, qasja aktuale e partive politike nuk jep asnjë garanci për një zgjidhje të qëndrueshme.

“Këta kërkojnë që të ketë një kandidat ose të ketë një marrëveshje politike, ndërsa Partia Demokratike kërkon që kandidati për president t’i takojë vetëm asaj partie në qoftë se nuk dëshiron z. Kurti ta çojë vendin në zgjedhje, përndryshe unë pres që do të kemi zgjedhje dhe ato do të mbahen sigurisht më 7 qershor”, tha Sadik Zeqiri, analist politik.

“Takimet mes kryeministrit Kurti dhe kryetarit të LDK-së, dhe më vonë ndoshta edhe me atë të PDK-së, do të vijojnë me këtë logjikë. Pra, të taktizimit politik deri në një moment kur ndoshta duhet të dakordohen edhe njëherë për të prodhuar një zgjidhje tjetër. Aktualisht nuk do të ketë mundësi të gjetjes së ndonjë zgjidhjeje kreative mes partive politike për zgjedhjen e presidentit të republikës”, tha Dorajet Imeri, analist politik.

Ndërkohë, sipas analistëve, në gjendjen aktuale më shumë vihet fokusi në akuzat e ndërsjella sesa në gjetjen e një zgjidhjeje për të shmangur zgjedhjet.

“Kryeministri Kurti, si fitues absolut i zgjedhjeve, do të duhej të bënte kompromis normal që të shmangnim zgjedhjet e reja. Por, në anën tjetër, edhe opozita nuk do të duhej të ishte kaq pasive, të priste vetëm emra nga kryeministri Kurti, por do të duhej të bashkëpunojë mes vete, sepse aktualisht është e përçarë”, tha Artan Muhaxhiri, analist.

Bazuar në vendimin e Kushtetueses, 28 prilli është afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, duke shmangur kështu zgjedhjet e parakohshme. Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin deri në këtë datë, vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja.