Tregu i lirë energjetik, Rizvanolli: ZRrE njoftoi se janë gjashtë furnizues

09:54 | 29 Maj 2025
E.K

Në ditën kur bizneset organizojnë protestë duke kërkuar shtyrje dhe kohë më të gjatë për t’u përshtatur me tregun e lirë të energjisë, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dhënë një pasqyrë mbi situatën aktuale të liberalizimit të tregut energjetik.

Ajo bëri të ditur se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka njoftuar se gjashtë furnizues janë tashmë aktivë në treg, ndërsa pesë prej tyre kanë ofruar oferta për bizneset.

Sipas ministres, interesimi i kompanive rajonale është rritur, dhe numri i licencave për furnizim ka arritur në 21.

Reagimi i plotë:

Diskutimet për tregun e hapur të energjisë vazhdojnë, bashkë me prodhuesit, për prodhuesit!

Dje i mblodhëm në takimin e radhës prodhuesit vendorë dhe odat ekonomike, për t’iu ofruar bizneseve informatat dhe mjetet që u duhen për t’u përballur me tregun e liberalizuar. Në këtë takim:

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) raportoi se 6 furnizues janë aktiv dhe 5 tashmë kanë dhënë oferta për biznese. Ndërsa, interesimi i kompanive rajonale është rritur dhe numri i licencave për furnizim ka shkuar në 21. SharrCem, të cilët operojnë në treg të hapur që nga viti 2017, ndanë përvojën e tyre të vyeshme.

Korporata Energjetike e Kosovës sqaroi mundësinë ligjore të “furnizuesit të mundësisë së fundit” për ata që ende nuk kanë kontratë.

Ne si Qeveri do të vazhdojmë t’u qëndrojmë afër bizneseve dhe t’i përkrahim në mënyrë praktike, me qëllim që bizneset të marrin vendime të informuara dhe të mos mbesin të pambrojtura.

Takimi i radhës do të jetë me vetë furnizuesit, për të nxitur transparencë dhe kushte të favorshme për të gjithë./Arbresh.info