Google ADS

Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, 2 mijë aplikime

10:32 | 6 Shkurt 2023
Vjollca Gajraku

Dje ka përfunduar afati pesëvjeçar për aplikimin e grave dhe burrave për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Deri tani sipas Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimës së Dhunës Seksuale, rreth 2000 persona kanë aplikuar për njohjen e statusit si të mbijetuar të dhunës seksuale të luftës gjatë vitit 1998-99.

Afati i fundit për aplikime në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Kosovës ka skaduar dje, duke shënuar përfundimin e një procesi pesëvjeçar të regjistrimit. Por, aktivistët që merrem me mbrojtjen e këtyre të drejtave kanë lobuar tek autoritetet qeveritare duke argumentuar se kjo periudhë nuk është e mjaftueshme, marrë parasysh shqetësimin e përhapur midis të mbijetuarve për regjistrimin.

Megjithatë, asnjë aplikim i ri nuk do të pranohet pas datës 5 shkurt. Kështu thotë për Radio Kosovën Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

“Realisht tani në Komision janë rreth dymijë aplikime që kanë kërkuar njohjen e statusit si të mbijetuara të dhunës seksuale të luftës, ku rreth 1500 burra dhe gra gëzojnë të drejtën si të mbijetuar të dhunës seksuale të luftës dhe rastet e tjera brenda komisionit janë në shqyrtim. Në këtë drejtim komisioni do të vazhdojë t’i shqyrtojë rastet derisa sa të përmbyllet shqyrtimi i secilit aplikim. Por me datë 5 shkurt, përmbyllet mandati i komisionit si i tillë për të marrë raste të reja, ndërsa anëtarët e komisionit kanë mandat edhe dy vjet të tjera për të vazhduar shqyrtimin e kërkesave që kanë ardhur deri më 5 shkurt”, deklaroi Rushiti,

Zyrtarët kosovarë dhe organizatat e shoqërisë civile që merren me të mbijetuarit kanë përmendur vazhdimisht se janë 20 mijë viktima të përdhunimit të kohës së luftës. Por, deri më tani në Komisionin Qeveritar kanë aplikuar vetëm rreth 2000 persona.

Aplikimi për statusin zyrtar të viktimave, u jep të drejtë atyre që të marrin një pagesë mujore prej 230 eurosh në muaj.

Ndryshe, gratë e burrat në Kosovë kanë pasur mundësi që të aplikojnë për statusin e viktimave të dhunës seksuale nga viti 2018.