Dy nga tre personat e arrestuar në Kosovë për mbishkrimin “Kosova është Serbi” janë pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi, konfirmoi të mërkurën ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq.
“Në këtë moment, ata dy ndodhen zyrtarisht në pushim mjekësor dhe bëhet fjalë për pjesëtarë të mirë dhe shembullorë të ushtrisë”, tha Krapoviq në një komunikatë.
Policia e Kosovës i arrestoi tre njerëz nga Nikshiqi për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në manastirin e Deçanit më 24 nëntor, mbanin mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Dy ditë pasi u dërguan në mbajtje, Gjykata Themelore në Pjesë urdhëroi një muaj paraburgim për Rajko Krivokapiq 34 vjeç, Marinko Jovanoviq 24 vjeç, dhe Dragutin Llallatoviq 24 vjeç.
Prokurori në Pejë i akuzon ata për veprën penale “nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit”.
Avokatja e tyre, Jovana Filipoviq, tha për mediat në Kosovë se do të bëjë ankesë, duke theksuar se vendimi i Gjykatës ishte shumë i ashpër.
Mbishkrimet që e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë, autoritetet kosovare i trajtojnë si provokim dhe nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar.
Kryetari i komunës së Nikshiqit, Marko Kovaçeviq, i cili është funksionar i partisë Demokracia e Re Serbe (Nova Srpska Demokratija – NSD), pjesë e Frontit Demokratik prorus që së fundmi është shpërbërë, ka reaguar duke dënuar veprimet e institucioneve të Kosovës dhe duke u bërë thirrje të arrestuarve që “t’i përballojnë vështirësitë në të cilat janë gjendur”.
Në profilin e tij në Facebook, ai deklaroi se Ambasada e Malit të Zi në Kosovë nuk ka reaguar për të mbrojtur tre qytetarët nga Nikshiqi, edhe pse është kontaktuar nga persona të afërt me të arrestuarit.
Partia e tij, e drejtuar nga Andrija Mandiq, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të Malit të Zi dhe bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë.
“Ky incident është vetëm një nga rastet e shumta të terrorit ndaj popullit serb në Kosovë, i cili tashmë është shtrirë edhe ndaj qytetarëve të Malit të Zi”, thuhet në deklaratën e NSD-së.
Edhe Kisha Ortodokse Serbe (KOS) në Mal të Zi ka reaguar, duke nisur “një protestë të ashpër ndaj krahinës jugore serbe” për arrestimin e besimtarëve, si dhe një protestë ndaj autoriteteve malazeze.
“Ky incident kërkon dënimin më të ashpër për mungesën poshtëruese të reagimit të shtetit të Malit të Zi, Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme dhe Qeverisë së saj, të cilat nuk i dolën në mbrojtje qytetarëve të vet”, thuhet nga KOS në Mal të Zi.
Institucionet shtetërore nuk janë prononcuar lidhur me arrestimin e tre të rinjve nga Mali i Zi.
Partitë politike proserbe në Mal të Zi, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por e konsiderojnë si territor të Serbisë.
Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila u rrëzua nga pushteti në gusht të vitit 2020./rel
DHURATA DHE NJË FUNDVIT ME BUZËQESHJE PËR FËMIJËT QË LUFTOJN...
Digjet magazina ushtarake në Rusi
Pacolli: Nuk e kam ditur që vëllai im ka aplikuar për subven...
Hamza premton 50% rritje të pagave për mantelbardhët, zero k...
UEFA e dënon Serbinë për tentimin e tifozëve për ta djegur f...
Tre vjet burgim për policin që plagosi një qytetar në veri t...