Të mërkurën (sot), kryeministri i Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel.
Ata do të priten në takim nga kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, raporton Arbresh.info.
Ky takim po shihet nga njohësit e çështjeve politike si një nga takimet më të palogjikshme që ka ndodhur që nga sulmi terrorist i 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë.
Politologu, Dritëro Arifi thotë se Bashkimi Evropian po dëshiron zgjedhje paqësore me një kriminel.
“Bashkimi Evropian po dëshiron me gjet zgjidhje paqësore me një kriminel, është no sens në vete sepse Serbia që nga shtator i viti të kaluar nuk është prononcuar kundër terrorizimit, por të kundërtën e ka financuar dhe soportuar terrorizmin, por për fat të keq as nuk e ka dënuar terrorizim”, thotë Arifi.
Sipas tij, Serbia e ka shkelur marrëveshjen franko-gjermane në çdo element të saj, dhe ka deklaruar publikisht që nuk do ta zbatojë një pjesë të saj më të rëndësishëm dhe nuk do ta njoh Kosovën, dhe se në një farë mënyre e ka mbytur dialogun ende pa filluar dialogu.
Ai thotë se duhet edhe të qartësohet situata mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, pasi vazhdimi i dialogut në këtë formë nuk do të prodhojë paqe.
“Po besoja që është shumë më e rëndësishme duhet të qartësohet situata mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, sepse po vërehet që Serbia nuk do të ketë lëvizje në Serbi të paktën me këtë regjim, vazhdimi i dialogut në këtë formë ashtë aq i pakuptimtë saqë nuk do prodhojë asnjëherë paqe”, shton Arifi.
Ai thotë se nuk pret asgjë nga ky takim, dhe se e vetmja gjë që mund të pres është që kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk do të duhej në asnjë formë dhe mënyrë të takohet me Vuçiqin.
Kjo pasi sipas tij, do të ishte fyerje ndaj policit të vrarë (heroit Afrim Bunjaku), ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ndaj të gjitha sakrificave që ka bërë Kosova për ta kontrolluar veriun.
Se takimi i sotëm mes Kurtit dhe Vuçiqit nuk do të sjell ndonjë rezultat thotë edhe analistja, Afërdita Maliqi.
Sipas saj, Kurti nuk do ta marrë përsipër themelimin e Asociacionit për arsye se vendi është shumë afër zgjedhjeve parlamentare.
“Nuk mendoj se ky takim do te sjelle ndonjë rezultat. Po ashtu, nuk besoj se Kurti do të marrë përsipër themelimin e Asociacionit, sepse nuk e ka bërë deri më tani, e le më tani që jemi shumë afër zgjedhjeve parlamentare”, thotë Maliqi.
Ajo pohon se Kurti do ta shfrytëzojë këtë gjë në fushatë.
“Kurti do ta shfrytëzojë këtë gjë në fushatë, si një kryeministër qe ka refuzu Asociacionin dhe që e ka kundërshtua edhe bashkësinë ndërkombëtare”, thekson ajo.
Ndryshe, Kurti dhe Vuçiq do të takohen sot në Bruksel nga ora 15:00.
“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me liderët nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh”.
Bashkimi Evropian thekson se në takime do të analizohet ajo që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Borrell dhe “do të fokusohen në rrugën përpara”.
“Do të ketë deklarata për mediat nga Përfaqësuesi i Lartë përpara dhe në fund të takimeve në ndërtesën e EEAS”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Takimi i fundit Kurti – Vuçiq në Bruksel u zhvillua më 14 shtator të vitit 2023, kur u diskutua për zbatimin e marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ai takim rezultoi pa ndonjë përparim.
Dhjetë ditë pas takimit nga një sulm terrorist në Banjkë mbeti i vrarë, heroi Afrim Bunjaku, disa ditë pas sulmit u konfirmua se Milan Radoiçiç ishte organizator i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 Shtator./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Vazhdojnë protestat e studentëve në Beograd
Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani shpallet kampion i antikorrupsi...
Valverde pas gabimit me Bilbaon: Atë natë pata probleme me g...
Vetura e policisë godet një këmbësor në rrugën Mitrovicë-Lep...
Kurti priti në takim lamtumirës ambasadoren e RMV-së në Koso...
AAK miraton listën e kandidatëve për deputetë, Haradinaj: Me...