Spitali i Ferizajt jep detaje për rastin tragjik: Nëna e foshnjës hyri në tualet dhe e mbylli derën

11:46 | 7 Maj 2026
E.K

Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka dhënë detaje lidhur me rastin e foshnjës së vdekur në Emergjencën e këtij institucioni, duke bërë të ditur se ngjarja është duke u hetuar nga organet kompetente.

Sipas njoftimit të spitalit, pacientja fillimisht është paraqitur me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe më pas ka hyrë në tualet, ku e kishte mbyllur derën. Stafi mjekësor, pasi kishte dëgjuar zërin e një foshnjeje dhe pas insistimit, ka arritur ta hapë derën.

Në njoftim thuhet se foshnja është gjetur në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, ndërsa nëna kishte prerë kordonin umbilikal dhe foshnja ishte vendosur në koshin e mbeturinave në gjendje hipotermike.

Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente nga ekipi mjekësor, përfshirë trajtimin intensiv dhe procedurat reanimatore nga një ekip multidisiplinar me përfshirjen e anesteziologut. Si nëna ashtu edhe foshnja janë transferuar në repartet përkatëse të Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë.

Spitali ka bërë të ditur se, pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka hapur rast për veprën penale “Vrasje e foshnjës gjatë lindjes”, pas dyshimeve se një nënë 21-vjeçare ka privuar nga jeta foshnjën e saj.

‘Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit është njoftuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj, lidhur me një rast të vdekjes së një foshnje të porsalindur në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt. Me vendim të Prokurorit kujdestar, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes” nga neni 176 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.E dyshuara në këtë rast ndodhet në trajtim në spitalin Gjinekologjik të Ferizajt, ndërsa, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë (IML). Prokuroria Themelore në Ferizaj, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e gjitha rrethanave të rastit në fjalë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, e dyshuara raportohet se ka lindur foshnjën në tualetin e Emergjencës në Ferizaj. Foshnja është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka vdekur pas një kohe të shkurtër.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion, ndërsa rasti është duke u hetuar në procedura të mëtejshme.

 

Hetimet për rastin janë duke vazhduar me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave./Arbresh.info