Specialja dënon me burgim Shalën, Januzin dhe Bahtijarin

15:54 | 4 Shkurt 2025
E.H

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë shpallur fajtorë dhe kanë dënuar Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me pengim të drejtësisë.

Në njoftimin për media thuhet se Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore ndaj Januzit, Bahtijariy dhe Shalës miratoi marrëveshjet për pranimin e fajësisë të arritur midis Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe tre të akuzuarve në këtë çështje, ku ata pranuan fajësinë për një akuzë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, dhe një akuzë për frikësim gjatë procedurës penale, konkretisht dy nga tre akuzat e konfirmuara kundër tyre nga Gjykatësi i Procedurës Penale, transmeton Arbresh.info.

Akuzën e tretë, pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, ZPS-ja e tërhoqi më 17 dhjetor 2024, në kuadër të marrëveshjeve për pranimin e fajësisë.

“Secili prej të akuzuarve pranoi se ishte pjesë e një grupi që tentoi të nxiste një person që të mos jepte dëshmi para Dhomave të Specializuara përmes premtimit të një përfitimi. Konkretisht, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari – me udhëzim të Haxhi Shalës – kontaktuan personin në shtëpinë e tij, përkatësisht më 5 dhe 12 prill 2023”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në bazë të marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, Trupi Gjykues shqiptoi gjithashtu dënime kundër  Shalaë, Januzit dhe  Bahtijarit si vijon:

• Haxhi Shala u dënua me 3 vjet burgim,

• Sabit Januzi u dënua me 2 vjet burgim,

• Ismet Bahtijari u dënua me 2 vjet burgim.

“Trupi Gjykues zbriti nga dënimet e dhëna kohën e kaluar në paraburgim që prej arrestimit të të akuzuarve. Të akuzuarit u pajtuan gjithashtu që të paguajnë shumën prej gjithsej 500 euro si zhdëmtim viktimës së pranuar për pjesëmarrje në proces”, thuhet tutje nw njoftim./Arbresh.info