Sot seancë e jashtëzakonshme, synohet nxjerrja e një rezolute për çështjen e referendumit

07:14 | 15 Janar 2022

Sot seancë e jashtëzakonshme, synohet nxjerrja e një rezolute për çështjen e referendumit

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet lidhur me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në Kosovë. Seanca është thirrur pas kërkesës së kryeministrit Albin Kurti drejtuar kryeparlamentarit Glauk Konjufca, raporton Express.

Seanca do të mbahet në orën 14:00.

“Diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se në seancë do të synohet të nxirret një rezolutë e përbashkët ku shprehet vullneti i deputetëve për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendi/ Në përputhje me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 paragrafi 2b të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për nesër, e shtunë, me datë 15 janar 2022, në orën 14:00. Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës. Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, thuhet në komunikatë.

BE-ja dhe shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga kryeministri Kurti që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi të dielën bazuar në praktikat e më hershme të votimit, ku OSBE-ja ka mbledhur votat.

Këtë gjë po e kundërshton shefi i qeverisë së Kosovës me arsyetimin se “mbajtja e një referendumi në një shtet sovran i një shtetit tjetër s’është praktikë që pranohet nga asnjë shtet demokratik”.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Ambasadorët e ShBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës e Italisë sot i kanë shkuar në zyrë edhe presidentes Vjosa Osmani. Pas këtij takimi të përbashkët ka folur kryeministri Albin Kurti, i cili ka treguar se do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme.

Më pas, përmes një deklarate të përbashkët, kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe kryekuvendari Konjufca, pas takimit me QUINT-in, kanë njoftuar se nuk janë lëkundur nga qëndrimi për mos lejimin e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovës, ku OSBE-ja do të merrej me grumbullimin e votave sikur në votime të së kaluarës.

Në këtë komunikatë tri institucionet kryesore të shtetit kanë përsëritur qëndrimin se serbët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë me postë apo në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

Si rrallë herë, partitë opozitare në vend i kanë dalë në mbështetje Qeverisë së Kosovës. LDK, PDK dhe AAK po e kundërshtojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Përkundër presionit ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, liderët e tri partive opozitare janë në një vijë me kryeministrin Kurti, kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovës.

Në anën tjetër Departamenti amerikan i shtetit ka publikuar në faqen zyrtare kërkesën e ambasadave të QUINT-it për lejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, raporton Gazeta Express.

Zyra për media e Departamentit amerikan të shtetit e ka publikuar deklaratën e përbashkët mbi Referendumin Kombëtar të Serbisë më 16 janar.

Lajmet më të lexuara