Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj raportimeve të fundit mediatike që, sipas saj, përbëjnë fyerje dhe dezinformim në lidhje me figura të rëndësishme të Policisë së Kosovës, duke përfshirë raste ende nën hetim dhe ngjarje tragjike.
Në deklaratën e publikuar, Sindikata përmend rastin e rreshterit Afrim Bunjaku, i vrarë në një sulm terrorist më 24 shtator 2023 në veri të vendit.
Sindikata e dënon deklaratën e gazetarit Branislav Krstiç, i cili mohoi publikisht rënien e Bunjakut në krye të detyrës, duke e cilësuar këtë si fyerje të rëndë dhe cenim të kujtimit të një heroi.
Gjithashtu, theksohet rasti i rreshterit Muhamet Lika, i cili u vra së fundmi në krye të detyrës.
Sipas tyre, përfshirja e këtij rasti në teori konspirative, mund të ndikoj negativisht në hetime dhe të njollosin figurën e tij dhe institucionin që ai përfaqësonte.
Reagimi i plotë:
Sindikata e Policisë së Kosovës, me shqetësim të vazhdueshëm, ka ndjekur praktikat e fundit të raportimit mediatik dhe publik në lidhje me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, sidomos në raste tragjike ose incidente që janë ende nën hetim. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit të zyrtarëve të rendit, ndjejmë obligim të reagojmë me përgjegjësi dhe maturi.
Së pari, dëshirojmë të theksojmë rastin e Rreshterit Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator 2023 gjatë një sulmi terrorist në Veri të vendit. Deklarimi i fundit në një medium publik të vendit nga gazetari Branislav Krstiç, që mohon rënien e heroit, është i papranueshëm dhe përbën fyerje të rëndë ndaj kujtimit të tij dhe ndaj sakrificës së heroit, rreshterit Afrim Bunjaku.
Po ashtu, dëshirojmë të nënvizojmë figurën e Rreshterit Muhamet Lika – luftëtar i lirisë, pjesëtar i dalluar i Policisë së Kosovës dhe anëtar i përkushtuar i Sindikatës sonë – i cili u vra në krye të detyrës para pak kohësh. Lika, që nga radhët e UÇK-së e deri te pozita e tij në Policinë e Kosovës, ka qenë shembull i përkushtimit dhe profesionalizmit. Tentativa e fundit për ta përfshirë në teori konspirative rreth vrasjes së tij përbën përpjekje të papranueshme për devijimin e hetimeve dhe njollosjen e figurës së tij dhe të institucionit që ai i shërbeu me nder.
Një tjetër shqetësim serioz që duam ta ngrisim si Sindikatë e Policisë së Kosovës është publikimi i menjëhershëm në media dhe rrjete sociale i emrave dhe fotografive të pjesëtarëve të Policisë të përfshirë në ndonjë rast, ndërkohë që proceset hetimore nuk kanë përfunduar. Më pas, kur zyrtari policor shpallet i pafajshëm, mungon një reagim i njëjtë publik për ta pastruar emrin e tij. Kjo ka shkaktuar ndjesi padrejtësie dhe pasigurie te shumë pjesëtarë policorë, të cilët ndihen të ekspozuar ndaj bullizmit dhe gjykimeve të menjëhershme publike.
Me këtë rast:
• Nuk është qëllimi ynë të kufizojmë lirinë e mediave, të cilat kanë rol kyç në një shoqëri demokratike, por u bëjmë thirrje për përgjegjësi, etikë dhe kujdes në raportim, sidomos kur bëhet fjalë për figura të sigurisë që ende nuk kanë kaluar nëpër një proces të plotë hetimor apo gjyqësor.
• Kërkojmë që, nëse ndonjë zyrtar shfaqet në media pa të drejtë dhe më pas shpallet i pafajshëm, të bëhet demant publik dhe korrekt, me të njëjtin intensitet me të cilin është dhënë lajmi fillestar.
Sindikata e Policisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të çdo pjesëtari të saj. Ne jemi gjithmonë të hapur për bashkëpunim me të gjitha mediat që veprojnë me profesionalizëm dhe objektivitet./Arbresh.info
Ndërrimi i pushtetit në veri – Flamujt e fotografia e ...
Hetemi gati për ta dorëzuar mandatin e kryetarit të Leposavi...
Lista Serbe merr pushtetin në komunat në veri të Kosovës
Arrestimet e shqiptarëve nga serbët, Syla: Mos kaloni nga Se...
OVL UÇK konfirmon protestën më 13 dhjetor në Shkup
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jas...