Shtëpia që po rrezikon anëtarët e familjes dhe kalimtarët

16:28 | 6 Mars 2016
M. A.

Një shtëpi qindra vjeçare në mes të Prishtinës që është në prag të rrënimit, po rrezikon shtatë anëtarët e një familje që jetojnë në të për 40 vite.

Shtëpia rrezikon këmbësoret që kalojnë andej pari, por edhe automjetet të cilat ka ndodhur edhe ta godasin, duke rrezikuar jetën e shtatë anëtarëve të kësaj familje.

Institucionet si Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës dhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë ua hedhur përgjegjësin njëra-tjetrës.

Zonja e shtëpisë thotë se as vetë nuk e di se kur është ndërtuar kjo shtëpi, por thotë se edhe ata kur erdhën këtu para 40 viteve për të qëndruar për dy apo tri javë ishte shumë në gjendje të rëndë.

 

“ Moti është kjo para kësaj lufte ose edhe tjetrës, ku ta di unë….Na ka pru komuna për dy tri javë, kemi mbetur qe 40 vite… Komuna nuk ka qenë kurrë këtu, na ka thirr atje, na ka pyeture se a e dini që jeni në rrezik, i kam thënë se ne e shohim, qorra nuk jemi, nuk kemi ku të shkojmë. Katër muajsh fëmijën ia kam lënë Nazmi Mustafës, ka vdekur ai, i dilnin eshtrat për jashtë, qe 40 vite rrafsh jam këtu… Jemi shtatë anëtarë të familjes dy djem, dy nuse dhe dy fëmijë”, tha ajo.

Zonja e kësaj shtëpie thotë se nuk e kanë në planë të largohet, dhe se do të qëndrojnë deri sa të rrëzohet kjo shtëpi.

 

“Nuk kemi planë me u largu deri sa të rrëzohet këtu kemi me qëndrua, krejt bota po qeshin me ta të gjithë e shikojnë të gjithë e fotografojnë asgjë. Faji është i Komunës, ajo po e sheh, edhe kemi qenë dhe asgjë sa herë e kanë rrok kamionët e mëdhenj e kanë qitë poshtë edhe asgjë… Kishin dal me këqyrë se ku ka shtëpia të vjetra, dhe ne hinëm, na bënë pyetje, tani na thëna të hënën gjithqysh me ardh, shkuam me djalin na thanë jo ne zgjedhje nuk mundemi me ju bë, bëni vetë… I kemi njerëzit e aftë ne shumë, po me kon lanë një send këtu ka qenë gjynah. Me thanë mos po e mbyt, dhoma nuk ka një e gjysmë qashtu çka kemi mundur vetë”, tha ajo.

E dikush jo vetëm që nuk do të guxonte të jetonte në këtë shtëpi, por madje thotë se edhe kur kalojnë këndej pari nuk ofrohen afër shtëpisë, pasi ndihet i rrezikuar.

 

“Unë kur kaloj kah kjo shtëpi, gjithmonë e kaloj rrugën dal në anën tjetër për shkak rrezikimit shumë të madh. Kjo është dashtë me u prish ose me ia bë një zgjedhje… për shkak të rrezikut shumë të madh që mundët ose fryma ose ndonjë çeremide ose gjithçka është rrezik për qytetarin”, tha ai.

 

“Po ndi hemi të rrezikuar pak, e paska gjendjen shumë të rëndë, kështu që shteti duhet me u kujdes për me i rinovu këto gjëra që të mos rrezikohen qytetarët… Ndoshta është mirë edhe me u heq krejt”,tha ai.

Por ka edhe nga ata qytetar që nuk e shohin të rrezikshme për qytetarët dhe as të vlefshme, prandaj thonë se duhet të rrëzohet sa më parë kjo shtëpi.

 

“ Nuk ndihem rrezik për ata se nuk shkojmë andej ku është shtëpia, por është rrezik për fëmijë se ata mund të kalojnë dhe shumë normale që është rrezik për fëmijë. Jo kjo duhet të rrëzohet është një shtëpi koti, nuk ia vlen me mbajt aty mu rreziku fëmija”.

Kurse, zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu nuk e di nëse banon dikush aty. Ajo ka thënë për KosovaPress se kjo shtëpi është nën mbrojtjen e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë, dhe nuk është në kompetencën e tyre.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë, Edona Derguti tha se është propozuar me qene në listën për trashëgimi kulturore por është refuzuar vitin e kaluar. Këtë viti prapë do të aplikohet për t’u fut në listën për trashëgimi kulturore.

Ndërsa fati i kësaj familje shtatë anëtarshe dhe qytetarëve që kalojnë pran kësaj shtëpie mbetët nën mëshirën e institucioneve përkatëse.

Shpërndaje në rrjete sociale