Shefi i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Gjenerali Angelo Michele Ristuccia, u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të heqin dorë nga “retorika e kotë” dhe të bisedojnë për t’i ulur tensionet.
“I ftoj sërish të dyja palët që të shmangin retorikën e kotë dhe të përballen me këtë sfidë në tavolinë të negociatave, pasi kjo është rruga e vetme për ta zgjidhur këtë situatë”, u ka thënë ai gazetarëve në selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe për pasojë ka pasur protesta të vazhdueshme.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, veçse ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.
Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri:
Shtensionimin e situatës atje
Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kurti, në anën tjetër, ka dalë me propozimin e vet me planin pesëpikësh.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL
“Jemi takuar në një kafene”, Edi flet për njohje...
Festimet me fishekzjarre për zgjedhjet lokale shkaktojnë 18 ...
Isak operohet me sukses pas dëmtimit të rëndë, Liverpool del...
Osmani nga Washingtoni njofton për heqjen e vizave nga Baham...
Adis Beçiragiç shpallet ‘Trajneri më i mirë i vitit’ në Bosn...
Amir Rrahmani fiton Superkupën e Italisë, Napoli mposht në f...