Vëllai i Liridona Ademajt kërkon nga mediat të mos i publikojnë pamjet e rënda nga seanca gjyqësore

11:59 | 26 Mars 2026
E.H

Familja e të ndjerës Liridona Ademaj ka reaguar pas publikimit të pamjeve të ndjeshme gjatë seancës gjyqësore, ku në sallë janë shfaqur fotografi që përfshijnë viktimën.

Vëllai i së ndjerës, Leonard Ademaj, u ka bërë thirrje mediave dhe administratorëve të faqeve në rrjetet sociale që të mos shpërndajnë pamje të tilla, duke theksuar se ato janë të rëndësishme për procesin gjyqësor, por jo për publikun e gjerë.

Ai thekson se shpërndarja e këtyre materialeve mund të ketë pasoja të rënda emocionale për familjen, veçanërisht për fëmijët e viktimës në të ardhmen, të cilët mund të përballen me to në internet.

“Ne duam që fëmijët e saj ta mbajnë mend nënën e tyre ashtu siç e kanë njohur kur ka qenë gjallë”, ka shkruar ai.

Familja gjithashtu shpreh shpresën që gjykata të marrë masa që materiale të tilla të përdoren vetëm brenda procesit gjyqësor dhe të mos bëhen publike.