Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka shprehur shqetësimin e saj pas vendimit të Sudanit për të njohur pavarësinë e Kosovës.
Siç raporton Danas, MPJ-ja serbe thekson se ky vendim është marrë në rrethana të “pasigurisë dhe mungesës së legjitimitetit të pushtetit” në Sudan, duke nënvizuar se një situatë e tillë nuk e lejon një qeveri të marrë vendime të rëndësishme për marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Ky vendim përbën një shkelje të rëndë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Ministrisë, ku gjithashtu theksohet se “është i diskutueshëm kapaciteti i Qeverisë aktuale të Sudanit për të marrë vendime me ndikim të madh në raportet mes shteteve, sidomos në çështje që lidhen me sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara”.
Serbia i ka bërë thirrje autoriteteve sudaneze që ta rishqyrtojnë këtë vendim, duke theksuar “kompleksitetin dhe ndjeshmërinë e situatës”.
MPJ-ja serbe, duke iu referuar rezolutave të mëparshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thekson se njohja e Kosovës nga Sudani “jo vetëm që bie ndesh me normat ndërkombëtare, por edhe minon përpjekjet për një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme në Ballkan”.
Në fund të reagimit, Serbia i ka drejtuar një apel edhe bashkësisë ndërkombëtare, duke kërkuar respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe mbështetjen e dialogut si “e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e Kosovës”.
LEXO EDHE:
Çfarë kanë të veçantë njerëzit e lindur në muajin dhjetor?
SHBA dhe Ukraina diskutojnë për armëpushimin, para samitit e...
Parashikimi i motit për të dielën
Aksident i rëndë trafiku në autostradën Gostivar–Tetovë, tet...
Trepça triumfon bindshëm në Therandë, fitore edhe për Borën
Aksident i rëndë në Tiranë, humb jetën 40-vjeçari