Google ADS

Sekuestrohen mjetet me të cilat po nxirrej zhavorr ilegalisht përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë

14:07 | 20 Maj 2024
E.H

Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton se po vazhdon aksioni për sekuestrimin e mjeteve të përdorura për degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit.

Pas një inspektimi të kryer nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është konstatuar se në disa fshatra të Komunës së Rahovecit, ambienti po degradohet për shkak të aktivitetit ilegal të nxjerrjes së zhavorrit përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë, përcjell Arbresh.info.

Prokurori koordinator për hetimin e Krimeve Kundër Mjedisit, ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338 i KPRK-së.

Gjithashtu, është urdhëruar sekuestrimi i një kamioni transportues, tre ekskavatorëve dhe një seperacioni me të gjitha pajisjet përcjellëse të përdorura në kryerjen e veprës penale.

Prokuroria njofton se aksioni për sekuestrimin e mjeteve të përdorura në aktivitete e paligjshme do të vazhdojë deri në kapjen e të gjitha mjeteve dhe personave përgjegjës.

Prokuroria e njofton opinionin publik se mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e këtyre dukurive./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale