Rritet rreziku nga zjarret, Agjencia e Menaxhimit Emergjent apelon për kujdes maksimal gjatë verës

15:31 | 20 Prill 2026
A Z

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka apeluar për rritje të kujdesit nga qytetarët me hyrjen në sezonin e verës, duke paralajmëruar se temperaturat e larta rrisin ndjeshëm rrezikun për përhapjen e zjarreve në hapësira të hapura, malore dhe fushore. Sipas këtij institucioni, parandalimi i zjarreve është thelbësor për mbrojtjen e jetës së njerëzve, pronës, kafshëve dhe mjedisit.

Kjo agjenci u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja e zjarreve në natyrë apo hedhja e mbeturinave të ndezshme. Po ashtu, kërkohet raportimi i menjëhershëm i çdo rasti në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192, si dhe angazhim për ndihmë në rastet kur zjarret rrezikojnë përhapje.

Agjencia ka theksuar se zjarrvëniet, qoftë të qëllimta apo nga pakujdesia, përbëjnë vepër penale dhe ndëshkohen me ligj. Në njoftim bëhet thirrje për ndërgjegjësim të përbashkët dhe bashkëpunim qytetar, duke vlerësuar se vetëm përmes reagimit të hershëm mund të shmangen pasojat dhe të mbrohet mjedisi.

Njoftmi i plotë:

APEL

Prishtinë më 20.04.2026

“Të nderuar qytetarë, meqenëse kemi hyrë në sezonin e verës që supozohet se do të karakterizohet me temperatura të larta të ajrit të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore e me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes të jetës së qytetarëve, të pronës, shtazëve dhe ambientit”.

APELOJMË, të jeni të gjithë të kujdesshëm dhe vigjilentë për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë në numrat emergjent pa pagese 24/7 112, 193 dhe 192, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit, kudo që ai mund të paraqitet dhe kërcënon, pasi që për një veprim të tillë përveç tjerash na obligon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës si dhe aktet tjera ligjore dhe nënligjore.

Kujdes i veçantë:

• Mos ndizni zjarr në pyje, fusha apo pranë zonave të banuara;

• Mos hidhni cigare të ndezura apo mbeturina që mund të shkaktojnë flakë;

• Raportoni menjëherë në numrat emergjent të çdo vatre zjarri tek autoritetet lokale ose shërbimi zjarrfikës;

• Edukojmë fëmijët dhe të rinjtë për rrezikun e lojërave me zjarr;

• Ruajmë mjedisin si pasuri të përbashkët për brezat e ardhshëm.

Vetëm me bashkëpunim dhe ndërgjegjësim të përbashkët mund të parandalojmë tragjedi dhe të mbrojmë natyrën tonë.

Mos lejoni që pakujdesia të kthehet në katastrofë. Veproni menjëherë dhe me përgjegjësi – për veten, për komunitetin, për Kosovën.

Vlen të theksohet dhe t’iu bëhet e ditur se zjarrvëniet e qëllimta, si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepër penale të cilat sanksionohen me ligj.

E rëndësishme: ne rast se hasni në ndonjë rast dyshimi për rrezik nga zjarri numrat emergjent në të cilët ju duhet të drejtoheni dhe t’i informoni por edhe ndihmë të kërkoni pa pagesë 24/7 janë:

112 Qendra Operative Emergjente, nga VALA dhe IPKO(pa pagesë),

193 zjarrfikësit shpëtues,

192 Policia dhe,

194 Shërbimi Mjekësor Emergjent.

Paralajmërim i hershëm- Veprim i hershëm, i cili shpëton jetë dhe ambientin e përbashkët për të gjithë.

Ju ftojmë dhe presim bashkëpunim të ndërsjellë.